Rasti për administrim të drejtësisë, Gjykata Speciale cakton datat e fjalëve përfundimtare

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se deklaratat përfundimtare në gjykimin për administrim të drejtësisë, ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.

Seancat do të nisin në orën 09:30 dhe do të jenë të hapura për publikun, raporton IndeksOnline.

Sipas njoftimit, më 20 gusht gjyqtari miratoi kërkesat e Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit që deklaratat përfundimtare t’i ndjekin përmes videokonferencës.

Gjatë deklaratave përfundimtare, palët do të përmbledhin argumentet e tyre dhe do t’u referohen provave të administruara, besueshmërisë së dëshmitarëve, procesverbalit të procedurës dhe ligjit në fuqi.

Prokurori i Specializuar do të paraqesë i pari deklaratën përfundimtare, pasuar nga Mbrojtja.

Më pas, palët do të kenë mundësi t’i përgjigjen njëra-tjetrës, ndërsa të akuzuarit do ta kenë fjalën e fundit.

Pas përfundimit të deklaratave, Trupi Gjykues do ta mbyllë çështjen.

Të ngjashme