Mbrëmë rreth orës 20:00 ka pasur të shtëna armësh në Prishtinë, konkretisht në rrugën “Vicianum” të lagjes “Arbëria”.
Ishte polici Avni Berisha, i njohur me nofkën “Tarkani”, i përfshirë në këtë incident.
Ndonëse, ende nuk janë dhënë detaje për motivin e kësaj ngjarjeje mësohet se personi të cilin policia ende nuk ka arritur ta identifikojë, ka gjuajtur në drejtim të Berishës dy tri herë, por nuk mbeti me kaq pasi që edhe Berisha i’a ktheu në të njëjtën mënyrë, madje me armë zyrtare.
E gjithë këtë po e pohon edhe vetë avokati i Avni Berishës, Naim Rudari, i cili për Ekonomia Online konfirmon rastin dhe tregon për gjendjen shëndetësore të Berishës.
Rudari thotë se gjendja e tij është e mirë dhe nuk ka pësuar lëndime.
“Unë jam përgjigjur pikërisht për këtë çështje që Avni Berisha është mirë dhe fatbardhësisht nuk është goditur. Se a ka qenë cak i sulmit z. Berisha besoj që policia do të përgjigjet në këtë pyetje, por ne e dimë se kur kanë ndodhur incidentet kanë qenë vetëm Avniu dhe personi tjetër që e ka përdorur armën”, ka thënë Rudari.
Për Rudarin ky rast po del të jetë mjaft serioz, pasi që i njëjti rast kishte ndodhur edhe me 24 tetor të këtij viti, ku një person kishte gjuajtur në drejtim të zyrtarit policor, Avni Berishës, në po të njëjtin vend.
“Me qenëse ka ndodhur incidenti i njejtë dhe në vendin e njejtë , dy herë radhazi rastin e bëjnë edhe më serioz ”, u shpreh ai.
Rudari tha se Policia ende po merret me rastin dhe se kanë gjetur gjurmë të personit i cili kishte gjuajtur në drejtim të Berishës.
“Nuk mund të japin opinione pasi që policia ka dal në vendngjarje, ka gjetur gjurmë dhe besoj qe do të konstatojnë më saktësisht se çka ka ndodh dhe eventualisht ndonjë motiv më të saktë.”
Kujtojmë se Avni Berisha ishte i përfshirë në rastin e sulmit ndaj ish – drejtorit të PTK-së, Agron Mustafës me 30 dhjetor të vitit 2017-të, por ende nuk dihet nëse rasti i mbrëmshëm kishte të bëjë me sulmin ndaj Mustafës.