Skenderbeu mbetet shembulli më unik i frymës së bashkimit, u tha sot në manifestimin për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit që u organizua nga Fakulteti i Edukimit.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se historia jonë kombëtare që nga epoka e Gjergj Kastriotit ishte histori për mbijetesë, raporton Ekonomia Online.
“Jo pse ashtu deshtëm, por sepse na imponuan luftën. Në këtë përvjetor historie e kombëtare sikur po e dëgjojmë zërin për unitet. Ne pasardhësit e Gjergj Kastriotit jemi përballë thirrjeve të qytetërimeve të reja, përballë Integrimit Evropian”, tha ai duke bërë thirrje të punohet drejt rrugës së Integrimt të Kosovës në familjen evropiane.
Heset Sahiti, zv.ministër i Arsimit, tha se figura e Skenderbeut është figurë që na ka frymëzuar gjeneratë pas gjenerate.
“Fama e tij prej burrshtetasi bashkoi tokat e shqiptarëve. Skenderbeu u bë shkëmb i pakalueshëm për Ushtrinë Osmane dhe si i tillë u bë figurë e respektuar për botën. Prandaj si të tillë jemi krenarë për figurën e tij”, tha ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se për popullin shqiptar figura e Skenderbeut mbetet shembulli më unik i frymës së bashkimit.
“Ishte njeriu që karshi sfidave të mëdha që kishte, gjente forcën dhe guximin të arrijë në zenitin kulmor të përballjes më të sukseshme të kohës. Ne duhet ta gjejmë Skenderbeun si lider i shtetit, i cili arriti ta centralizojë ushtrinë e tij. Skenderbeu ishte burrshtetas që arriti të mbledhë rreth vetes njerëz të dijes. Jemi në një kohë që duhet të punojmë shumë për Kosovën,”, tha ai.
Rektori i Universitit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj, tha se aktiviteti “Ditët e Skenderbeut” është aktivitet i nevojshëm për të na kujtuar lavdinë e tij, raporton EO.
“Skenderbeu ishte një figurë e rrallë. Me luftën e tij u shënua një kthesë vendimtare në politikën dhe lirinë e vendit. Ai ishte përfaqësuesi më i shquar i elitës shqiptare i cili veproi në frymën që askush s’mund të jetë mirë pa qenë Shqipëria. Duke jetësuar dita ditës planin strategjik të Universitetit të Prishtinës po mundohemi që ta bëjmë lider në botë”, tha Demaj.