Pas mëse tri vitesh, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me mund shumë të madh arriti ti bëjë 2/3 e votave të deputetëve, apo 80 vota, që ta ratifikoj marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.
Se kemi humbë territor, atë tashmë e di çdo kush, por shtrohet pyetja, a ia ka vlejtë kjo sakrificë e territorit të Kosovës?
Ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e zi, erdhi si rezultat i kushtit të padrejtë që Bashkimi Evropian i vuri Kosovës për Liberalizimin e vizave, e që ishte pikërisht kalimi i Demarkacionit në Kuvend, duke e quajtur edhe si “kushtin kryesorë”.
Por ne e dimë, se kushtet kryesore janë luftimi i Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, e që në një mënyrë ose tjetër, i bie të luftohen zyrtarët dhe krerët e Qeverisë, ku edhe hapur e plaçkitin buxhetin e Kosovës duke emëruar mbi 70 zëvendës-ministra, të cilët asgjë askujt nuk i hyjnë në punë, por kjo është thjeshtë ngopje e apetiteve të partnerëve të koalicionit qeveritarë, e që i bie KORRUPSION.
Por edhe nëse plotësohen edhe këto dy kushte, luftimi i Krimit të organizuar dhe Korrupsionit (e që për mendimin tim është Mision i Pamundur) edhe liberalizohen vizat, çka pastaj? A do të kemi një jetë më të mirë në Kosovë? Çfarë rrugësh do hapen për të rinjtë kur s’ke të drejtë pune as studimi në shtetet e BE-së?
Ne deri me tani kemi bërë shumë kompromise me Serbinë dhe shtetet tjera fqinjë, saqë çdo apetit serb u ngop, ndërsa ne në fund duhet të mjaftohemi me një liberalizim të vizave!
Por më e keqja ende nuk ka ardhur, mos qoftë kusht për liberalizim të vizave, gjithsesi se do të jetë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e që është formimi i Asociacionit të Komunave serbe! Ky Asociacion, është “Kali i Trojës”, që pas formimit në çdo moment mund të shpërthej me shpallje të autonomisë, por pse jo edhe të pavarësisë dhe ndarje të plotë nga Kosova! Nuk duhet të habitemi për këtë gjë, sepse të gjithë e dimë dhe e kujtojmë momentin kur forcat ushtarake të KFOR-it francez nuk i lejonin shqiptarët të kalojnë në veri të Mitrovicës, andaj nuk është e habitshme që shtetet si Franca dhe të tjerat, ta kërkojnë formimin e Bashkësisë së komunave serbe në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Atëherë do të kemi një shtet brenda shteti! Pyetja ime është: Nëse ne falem territor për Liberalizim të vizave (liberalizim i cili shërben vetëm për shëtitje të shtrenjta të llojit të Endrit Thaçit, djalit të Presidentit Thaçi), a do të jemi aç mendjelehtë dhe të lëkundur që ta pranojmë një shtet brenda Kosovës vetëm e vetëm të jemi pjesë e Bashkimit Evropian? Frika është shumë e madhe që kjo edhe të ndodhë, që elita kosovare ta pranoi çdo kompromis për anëtarësim në BE dhe të duartrokitet nga qytetarët!
Mendoj që qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë krijimin e perspektivës brenda kufijve të shtetit tonë, e jo të shohin perspektivë ikjen nga vendi.
Andaj, duhet të jemi më të vendosur ndaj asaj që na ofrohet dhe asaj që po japim, duhet t’i kemi vijat e kuqe edhe për shtetet ndërkombëtare, të cilat kanë një rol të veçantë në Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, por duhet treguar se ne jemi viktima dhe serbët agresori dhe fajtori i rreth 17.000 viktimave shqiptare.
(Autori është historian)