Ditët e fundit ka pasur shumë paqartësi dhe mungesë informacioni të saktë për rolin e RCC-së në takimet e të ashtuquajturës iniciativa “Minishengen”. Ashtu si Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve, edhe Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal u ftua në këto takime për të dëgjuar propozimet e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor.
RCC-ja është tërësisht e angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Me krenari ne bashkërendojmë dhe vëmë në zbatim Planin Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike në Ballkan, siç na është kërkuar dhe miratuar si detyrë nga të 6 udhëheqësit e Ballkanit Perendimor tre vite më parë në Samitin e Procesit të Berlinit në Trieste.
Të gjashta ekonomitë e rajonit, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, janë pjesë e këtij procesi në bazë të kërkesës së parashtruar nga të gjashtë udhëheqësit e siperpërmendur, si një projekt me anën e të cilit do të çohet përpara bashkëpunimi ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor, duke eliminuar barrierat sociale me lëvizjen e të rinjve, të profesionistëve, të aftësive dhe të novacionit në rajon. Për RCC-në bashkëpunimi rajonal është një histori gjithnjë e në zhvillim. Bashkëpunimi rajonal merr kuptim atëherë kur objektivi përfundimtar është integrimi në BE.
Meqenëse zgjerimi ka të bëjë me lidhjen e tregjeve dhe njerëzve me njëri-tjetrin, ne besojmë se çdo iniciativë që çon në heqjen e përfundimtare të barrierave brenda rajonit tonë, është tërësisht e domosdoshme dhe, si e tillë, duhet të merret patjetër në konsideratë.
Për këtë arsye, ne jemi gjithnjë të vëmendshëm, duke i mbajtur sytë dhe veshët hapur, për çdo propozim që mund të vijë nga secila prej ekonomive të rajonit. Dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen.