Ditë më parë doli një video në disa portale ku avokati Tomë Gashi e shqelmonte një kuti apo enë plastike të një “ lypsari “ , në qendër të Prishtinës pasi të kenë ndërruar fjalë njëri me tjetrin. Në rastin konkret avokati Gashi ishte në rolin e inspektorit apo të policit e që nuk përkon , as me profesionin e as me mandatin që e ka. Menjëherë filluan sulme dhe komentime , disa në mbrojtje të “ lypsarit “ duke e dënuar avokatin Gashi ndërsa disa e përkrahën këtë veprim.
Disa medie elektronike kontaktuan KMDLNj-në për të marrë opinion nëse veprimi i avokatit Gashi paraqet shkelje e të drejtave të njeriut për çka edhe morën qëndrim pohues për faktin se ky veprim nuk i takon avokatit Gashi por institucioneve përkatëse , inspekcionit dhe Policisë së Kosovës .
KMDLNJ , edhe tani por edhe më heret ka kërkuar që Policia e Kosovës të ndërmerrë veprime konkrete për parandalimin e lypsarisë e që në rastin konkret është e organizuar dhe paraqet një skemë të organizuar kriminale ku bosët apo të besuarit e tyre , në mesditë apo në fund të ditës mbledhin paratë nga lypsarët , e kontrollojnë punën e tyre , i detyrojnë të zdeshen në temperatura të ulëta apo të qëndrojnë me fëmijë të vegjël e në disa raste edhe foshnje tërë ditën në pikat më frekuentuese të qytetit.
Në qendër të qytetit dëgjohet piskama dhe vaji lemeritës i disa personave e që shkaktojnë shumë pakënaqësi te qytetarët. Policia e Kosovës , në disa raste e ka bërë deportimin e lypësve , kryesisht në Shqipëri të cilët , pas disa ditëve përsëri janë kthyer. Policia e Kosovës ka dështuar në luftimin e këtij fenomeni që , pa asnjë dyshim paraqet krim të organizuar për faktin se nuk i ka ndjekur dhe nuk i ka arrestuar ata që qëndrojnë prapa lypsarëve por po merret vetëm me pasojat. Deri sa bosët dhe të besuarit e tyre që kontrollojnë çdo veprim të lypsarëve do të jenë në liri , nuk ka gjasa të luftohet ky fenomen në rritje në Kosovë.
Një deputete e një partie opozitare e që e ka filluar karrierën si opozitë, në një reagim publim kërkon nga LVV , OJQ –të Avokati i Popullit dhe KMDLNj përgjegjësi shkaku se nuk kanë reaguar ( pa e dëgjuar fare prononcimin e KMDLNj –së ) ndaj veprimit të avokatit Gashi.
KMDLNj nuk do të reagonte fare ndaj kësaj fatveje të deputetes në fjalë po të mos ishte krejtësisht politik konteksti i reagimit të saj. Ajo thotë se ; “ avokati i qeverisë , Tomë Gashi e që është i LVV e paska bërë këtë veprim të turpshëm …” në ndërkohë që për OJQ-të , Avokatin e Popullit dhe KMDLNj -në janë dy arsye pse nuk kanë reaguar ; 1 ) sepse paskanë frikë nga qeveria ose 2 ) se shohin apo kërkojnë një interes nga qeveria që sapo u formua , në atë kohë i bëri mbi 10 ditë qeverisjeje.
KMDLNj e përkujton deputeten në fjalë se punën e mbështet në bazë të mandatit të përcaktuar , se nuk reagon vetëm në baza të një burimi të informimit dhe , për këtë arsye asnjë reagim apo informatë e KMDLNj –së nuk është demantuar. KMDLNj i dëshiron deputetes Idrizi opozitarizëm më të suksesshëm dhe më kreativ sikur edhe respekt më të madh për OJQ-të për faktin se edhe me ndihmën e tyre u bë deputete. Nderkaq , sipas KMDLNj – së nuk ka dyshim se veprimi i avokatit Gashi është shkelje e të drejtave të njeriut dhe rasti si i tillë edhe regjistrohet.
Rasti i dytë ishte ai i zonjës Fatmire Mulhaxha – Kollçaku , nënkryetare e LVV –së , pas një postimi që e bëri duke cituar një analist nga Serbia për figurën dhe personalitetin e Albin Kurtit , kryeministër i Kosovës. Ky postim nxiti një “ luftë “ midis PDK-së dhe LVV –së , të parët në mbrojtje të UÇK-së , të dytët në mbrojtje të zonjës Kollçaku .
Për KMDLNj nuk paraqet asnjë interes nga aspekti i të drejtave të njeriut qërimi i hesapeve politike dhe lufta që ka filluar dhe duket se do të intensifikohet midis këtyre dy subjekteve politike. Për KMDLNj është i papranueshëm fakti se kjo luftë zhvendoset nga një kontekst krejtësisht politik , në një kontekst të linçimit publik për shkak të pastërtisë së gjakut apo në baza etnike. Është moralisht e papranueshme , ligjërisht e dënueshme të bëni publike të dhënat personale dhe të prindërve pa pëlqimin e palës duke i bërë publike certifikatat e lindjes sikur që , nga aspekti i të drejtave të njeriut konsiderohet raciste përpjekja për diskreditim të zonjës Kollçaku për shkaqe të sipërpërmendura.
E drejta për protesta është e garantuar me ligjet në fuqi sikur që është e garantuar edhe mundësia e adresimit të shqetësimeve dhe fyerjeve të vlerave të UÇK –së te institucionet përkatëse dhe kjo duhet të shfrytëzohet. Dhe këto të drejta KMDLNj i përkrahë fuqishëm sikur që kundërshton përpjekjet për linçim publik duke marrë si pretekst përkatësinë etnike të vet individit apo të paraardhësve biologjikë . Nuk është hera e parë që KMDLNj reagon për raste të ngjashme ku politikanët janë akuzuar për shkak të përkatësisë etnike të prindërve të tyre . KMDLNj kërkon nga mediet që në raste të ngjashme të jenë të kujdesshme duke mos bërë publike të dhëna personale , pa lejen e palëve.
Në ditën e Pavarësisë së Kosovës pati manifestime të ndara ; kryeministri Kurti dhe kryetarja e Kuvendit , Vjosa Osmani vizituan Kompleksin e Heronjve të Kombit në Prekaz , Varrin e Adema Demaçit , Sakrifikuesit dhe Kuptimit të Lirisë si dhe të Ibrahim Rugovës , ish – president i Kosovës , para shpalljes së pavarësisë. Kurti dhe zonja Osmani vizituan edhe FSK-në në ndërkohë që kryetarja e Kuvendit e vizitoi edhe monumentin Heroinat për ta përmbyllur këtë pelegrinazh në Katedralen “ Nëna Tereze “ ku presidenti i Kosovës , z. Hashim Thaçi organizoi pritje shtetërore me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Sallën Kulturore “ Bogdanopolis “ .
Me Kushtetutën e Kosovës , Kosova është shtet laik ku feja është e ndarë nga shteti prandaj për KMDLNj –ë është i habitshëm fakti se pritja shtetërore është bërë në një tempull fetar në vend se të bëhet në një institucion shtetërorë apo në ndonjë hotel , siç ishte vepruar më parë. Ose në Teatrin Kombëtar .
Me këtë veprim , presidenti i Kosovës ka diskriminuar komunitetet tjera fetare dhe në mënyrë të palejueshme si dhe në kundërshtim me ligjin ka organizuar një ngjarje shtetërore në një intitucion fetar. Ushtrimi i të drejtave dhe lirive fetare në Kosovë është e rregulluar me ligj dhe në këtë drejtim nuk ka diskriminim sikur që është një ndarje e qartë midis shtetit dhe fesë e që në rastin konkret ky parim kushtetues është shkelur nga presidenti i Kosovës.
KMDLNj shpreson se lëshime të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen dhe se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës . Paramendojeni reagimin nëse kjo pritje shtetërore do të organizohej në lokalet e Bashkësisë Islame të Kosovës , Kishës Ortodokse në Graçanicë , në Tyrben e Sulltan Muratit apo në selinë e tarikateve të bektashinjve ! Kjo shkelje duhet t’i adresohet protokollit të Presidentit dhe dikush duhet të japë përgjegjësi ! A jemi shtet laik apo po punojmë sipoas Kushtetutës së Greqisë ku feja dhe kisha është shteti vet apo mbi vet shtetin ?! Apo edhe sipas ligjit të Sheriatit ?!