Reagim ndaj procesit të inicuar nga Këshilli i Pavarur i Mediave për ndryshimin e Kodit të Etikës lidhur me nenet që rregullojnë mënyrën e raportimit të mediave dhe gazetarëve nga shqyrtimet gjyqësore në gjykata.
Drejtësia Sot shpreh shqetësimin e saj në lidhje me procesin e inicuar nga Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) për ndryshimin e Kodit të Etikës lidhur me nenet që rregullojnë mënyrën e raportimit të mediave dhe gazetarëve nga shqyrtimet gjyqësore në gjykata. Më konkretisht, Drejtësia Sot kundërshton iniciativën e marrë nga ky institucion me anë të të cilit është propozuar të ndryshohet neni 7 i këtij Kodi dhe është propozuar që mediave të u ndalohet të japin emrat, përshkrimin, pamjet, ngjashmëritë ose informatat specifike të të akuzuarve, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente, përveç nëse për shkaqe të sigurisë publike, një gjë e tillë kërkohet nga organet e rendit në rastet e ndjekjes së personave të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme.
Poashtu vlerëson se tendenca për ndalimin e raportimit të mediave dhe informimin e drejtë dhe të menjëhershëm të publikut direkt nga gjykatat, lidhur me rastet për të cilat nuk ekziston asnjë arsye ligjore për t’i mbyllur ato, janë në kundërshtim me të gjitha standardet e llogaridhënies dhe transparencës për të cilat është punuar bashkarisht vite me rradhë nga akterë të ndryshem, që në vitin 2016 të vendosen përfundimisht si standarde. Kjo për të rritur llogaridhënien dhe transparencën gjyqësore mirëpo, edhe për të mundësuar informimin e drejtëpërdrejtë të qytetarëve. Njëkohësisht, bazuar në nenin 293 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës përcaktohet që shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun përjashtimisht rasteve të përcaktuara në nenin 294. Raste të tilla numërohen rastet kur në seancë gjyqësore tentohet të ruhet një fshehtësi zyrtare, një informacion i fshehtë i cili do të rrezikohëj nga shqyrtimi i hapur, ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit, mbrojtja e jetes personale ose familjare e të akuzuarve dhe pjesëmarresve të tjerë në procedurë, mbrojtja e interesave të fëmijëve dhe mbrojtja e të dëmtuarve, dëshmitarëve bashkëpunues ose dëshmitarëve; si situata përjashtuese të këtij rregulli. Prandaj, çdo iniciativë që shkon përtej asaj çfarë është përcaktuar në kuadër të ligjit penal konsiderohet të jetë përpjekje për mbylljen e gjykimeve, ulje të llogaridhënies dhe transparencës. E njejtë njëkohësisht është kundër çdo standardi ndërkombëtar e evropian që siguron transparencën në gjyqësor.
Drejtësia Sot përkrah çdo iniciative e cila do të mundësonte informimin dhe edukimin e mediave dhe gazetarëve si dhe ngritjen e mëtutjeshme të kapaciteteve të tyre në përputhje me standarde evropiane të raportimit gazetaresk. Për më tepër, ne konsiderojmë që nëse KPM po tenton të ruaj nivelin e raportimit gazetaresk dhe të respektoj të drejtën e privatësisë së çdo personi të akuzuar i cili nuk është shpallur fajtor me një vendim përfundimtar të gjykatës, do të duhet të vendoste standarde të qarta për mënyrën e raportimit në gjykimet e lëndëve me ndjeshmëri të posaçme, ku mediat dhe gazetarët do të trajnoheshin se si të raportojnë në kuadër të standardeve të cilat rrjedhin edhe nga jurisprudenca e vendosur përmes Gjykates Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prandaj, Drejtësia Sot i bën thirrje KPM të ri-shqyrtoj dhe njëherë draftin e Kodit të Etikës dhe të evitoj çfarëdolloj situate e cila do të cenzuronte punën e gazetarëve, do të pengonte informimin e drejtë dhe direkt të qytetarëve dhe do të ndikonte në uljen e llogaridhënies dhe transparencës në gjyqësor.