Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar për Ekonomia Online se ka sot e ka pranuar një kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për shkëputjen e njëanshme të kontratës së qirasë, e cila është nënshkruar në nëntor 2023, për një periudhë 3-vjeçare.
Sipas partisë së Ramush Haradinajt, kërkesa bie ndesh me një nga nenet e kontratës.
Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se ministri Faton Peci po përdor detyrën e tij për ta goditur politikisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pikërisht në vitin kur pritet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
“Kërkesa e Pecit bie ndesh me nenin 6 të kontratës për arsye se asnjë nga kushtet e cekura në kontratë për ndërprerje të kontratës nuk është përmbushur për ndërprerje të njëanshme”, tha Xhemaili.
“Konsiderojmë që Peci po përdor autoritetin e tij si ministër për ta goditur politikisht Aleancën, pikërisht kur po hyjmë në vit zgjedhor”, deklaroi zëdhënësi i AAK-së, në një prononcim për EO.
“Sot e kemi pranuar një kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për shkëputjen e njëanshme të kontratës së qirasë e cila është nënshkruar më datë 20.11.2023, sipas kushteve të parashtruara nga vetë Ministria. Jemi në shqyrtim të aspektit juridik të kësaj kërkese dhe shumë shpejt do të ju njoftojmë për veprimet e radhës”, konfirmon Aleanca.
AAK ka bërë të ditur se paguajnë qira mujore për shfrytëzimin e 569 metrave katrorë, në katin përdhesë dhe të parë në vlerë prej 4552 eurosh në muaj, ku nuk përfshihet as bodrumi e as kati i dytë, “që janë të mbyllura e të lëna në gjendje të mjerueshme”.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, më herët gjatë ditës njoftoi se ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të kontratës së qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës, që prej përfundimit të luftës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ministri Peci tha se kontrata me AAK-në është shkëputur për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim. Ai ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve të AAK-së, të cilat i quajti kërcënim të hapur.
AAK i ka dërguar redaksisë dhe kontratën e skanuar lidhur mes AAK-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, sikur thuhet e përpiluar nga vetë ministria, për shfrytëzim të objektit, për një periudhë 3-vjeçare: