Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është i shqetësuar pas denoncimit të gazetarit Kosovë Gjoci të Euronews Albania për pengimin në punë nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas një reagimi për media nga AKG thuhet se Gjoci ka njoftuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.
“Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë. Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli”, thuhet në reagimin e tyre.
AGK-ja, i konsideron këto veprime të papranueshme dhe i bën thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit.