Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë është deklaruar lidhur me rastin e dorëzimit të provave të cilat ishin marrë nga zyrat e Organizatës Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 25 shtator të vitit 2020 kur edhe u arrestuan krerët e veteranëve, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Në komunikatën për medie thuhet se askush nuk është ftuar në objektet e tij. Aty theksohet se Zyrat e Prokurorit të Specializuar gjendet brenda ndërtesës së EULEX-it në Fushë Kosovë.
Ndër të tjera EULEX, shton se rasti i takon Zyres së Prokurorit të Specializuar.
Komunikata e plotë:
Raportimet e mediave ku pretendohet se EULEX- nuk ia dorëzoi pajisjet e sekuestruara Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë të pavërteta. EULEX-i nuk e ka asnjë rol në këtë dhe nuk e ka ftuar askënd në objektet e tij. Siç e ka përmendur edhe avokati Tomë Gashi në një postim të tij në Facebook, zyrat e Prokurorit të Specializuar ndodhen brenda ndërtesës së EULEX-it në Fushë Kosovë. Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni ZPS-në.