Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pasi që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk shkoi për mandatim sot në zyrën e tij.
Thaçi përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Twitter, ka thënë se një ftesë e re do t’i dërgohet sërish Kurtit, si dhe ka kërkuar që të mos vonohet formimi i qeverisë.
“Dje, u konstituua Parlamenti i Kosovës duke zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e tij. Teksa e pashë urgjencën për të formuar qeverinë e re në përputhje me Kushtetutën, sot e ftova zotëri Kurtin ta propozojë kandidatin për Kryeministër, ai nuk është paraqitur në zyrën time siç pritej. Sidoqoftë, një ftesë e re do t’i dërgohet sërish. Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së #Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar sot zyrtarisht kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë. Takimi ishte paraparë të mbahej në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës, por që ky i fundit ka deklaruar që nuk mund të takohet me Thaçin pasi nuk është në Prishtinë.