Reagon KB ‘Krusha’, kërkon mbështetjen e merituar nga insitucionet

Prishtinë | 17 Nën 2024 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Kooperativa Bujqësore “Krusha” nëpërmjet një reagimi ka shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin për vendimin e fundit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila refuzoi aplikimin për grante me arsyetimin se mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit.

“Dëshirojmë të theksojmë se thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim”, thuhet në reagim

Në reagim thuhet se KB “Krusha” nuk ka përfituar asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) që nga viti 2015.

“Në atë kohë, edhe pse u shpallëm përfitues, procesi u shoqërua me vështirësi dhe pagesa e grantit nuk u realizua plotësisht për shkak të problematikave procedurale nga ana e institucioneve. Që nga ai vit, nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR, pavarësisht rolit tonë të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë dhe eksportit”, theksohet në reagim.

Tutje theksohet se pas vendimit të refuzimit, ‘ne paraqitëm ankesë në përputhje me procedurat ligjore dhe shpresuam në një rishikim të drejtë dhe të paanshëm’.

“Megjithatë, vendimi u kthye përsëri si refuzim, këtë herë duke u bazuar vetëm në një pikë të vetme, duke krijuar përshtypjen e një trajtimi të padrejtë. Agjencia sugjeroi që të ndjekim rrugën gjyqësore për ta sfiduar këtë vendim, por një procedurë e tillë paraqet sfida të mëdha për një organizatë si e jona”, theksohet në reagim.

Në fund Kooperativa Bujqësore “Krusha” ka falënderuar Komisionin Evropian, GIZ-in gjerman, USAID-in, SëissContact, donatorët vendor dhe ndërkombëtar, bizneset dhe fermerët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e cila ka qenë thelbësore për funksionim.

“Falë tyre, KB “Krusha” ka arritur të eksportojë produkte bujqësore në tregjet e Evropës dhe SHBA-së, duke promovuar bujqësinë kosovare në nivel ndërkombëtar. Me gjithë këtë kontribut dhe përkushtim, që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR. U bëjmë thirrje institucioneve të shqyrtojnë me kujdes politikat e tyre për të siguruar që organizatat si KB “Krusha”, që japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, të trajtohen me drejtësi dhe të marrin mbështetjen e merituar”, theksohet në reagim.

Të ngjashme