Reagon Koci: Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë

Prishtinë | 08 Jan 2025 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar procedura disiplinore ndaj një koloneli policor dhe një majori që kanë marrë pjesë në tubime politike, raporton Ekonomia Online.

IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit, ndërsa rastin e majorit e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.

Avokati Arianit Koci ka reaguar duke kërkuar nga organet kompetente duhet ta trajtojnë rastin me paanshmëri dhe profesionalizëm.

“Nëse ka një hetues në polici për të cilin kam mendim të mirë si profesionist dhe njeri i ndershëm, ai është Idriz Gashi.  Prej dje, ai është i suspenduar! Suspendimi është një hap procedurial fillestar, dhe Idriz Gashi ka të drejtën e tij për të paraqitur faktet dhe mbrojtjen.  Organet kompetente duhet ta trajtojnë rastin me paanshmëri dhe profesionalizëm.Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar”, ka shkruar ai.

Koci ka thënë se hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë. “Për këtë, klienti i im ka prova materiale. Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj kallëzim penal për falsifikimin e fotos”, tha Koci.

Të ngjashme