Reagon Kurti pas shpërthimit në Ujman: Serbisë dhe qarqeve të saj mike, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në veri

Prishtinë | 21 Kor 2024 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka raaguar pas shpërthimit që ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit, në veri të Kosovës.

Kurti ka shkruar se njësitet policore relevante janë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin, ku u dëmtuan dy vetura.

Por, Kurti ka shfaqur besimin se prapa sulmit qëndron Serbia dhe grupet kriminale të lidhura me të.

“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar kreu i Qeverisë.

POSTIMI I PLOTË:

Sipas informatave të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur është hedhur një granatë dore me ç’rast dy vetura të parkuara, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane, janë dëmtuar.

Njësitë policore relevante janë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin.

Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme.

Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim.

Të ngjashme