Reagon Kuvendi: Deputetët serb s’do t’i humbnin mandatet edhe të mos mbahej kjo seancë, kanë afat deri në gusht

Prishtinë | 27 Qer 2024 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës ka deklaruar se seanca e sotme është bazuar në vëllimin e materialit për shqyrtim, ndërsa ka mohuar pretendimet se seanca është thirrur për tu mos u humbur mandatet deputetëve serb, raporton Ekonomia Online.

Përmes një njoftimi për media, institucioni më i lartë ligjvënës ka bërë të ditur se edhe të mos mbahej seanca e sotme, deputetët serb nuk do t’i humbnin mandatet, pasi të njëjtit për herë të fundit ishin në shkurt, rrjedhimisht të njëjtëve nuk do t’iu mbaronin mandatet deri në fillim të muajit gusht.

“Pas interesimit të vazhdueshëm nga mediat dhe në funksion të sqarimit të publikut lidhur me mbajtjen e seancës së sotme, ju informojmë se seanca është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e datës 24 qershor 2024, bazuar në vëllimin e materialit për shqyrtim. Asnjë deputeti, përfshirë deputetët nga radhët e Listës serbe, nuk do t’u humbiste mandati në rast të mos mbajtjes së seancës së sotme.”

Kuvendi ka thënë se deputetët e Listës Serbe herën e fundit kishin qenë në kuvend më 8 shkurt dhe sipas kësaj mandatet nuk do t’iu mbaronin deri në fillim të muajit gusht.

“Deputetët nga radhët e Listës serbe herën e fundit ishin evidentuar si pjesëmarrës në seancë më 8 shkurt 2024. Rrjedhimisht të njëjtëve, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, nuk do t’iu mbaronin mandatet deri në fillim të muajit gusht.”

Kuvendi ka bërë të ditur se seancat e Kuvendit deri në përfundim të sesionit pranveror do të mbahen në sallën 506.

“Për më tepër, konform njoftimeve paraprake, punimet për vendosjen e pajisjeve të reja në sallën e seancave pritet të përfundojnë gjatë pushimit midis dy sesioneve dhe për rrjedhojë, deri në përfundim të sesionit pranveror, seancat e Kuvendit do të mbahen në sallën 506.”

Të ngjashme