Zyra e Presidencës ka reaguar pasi qarkullimit të një lajmi se zgjedhjet u shpallën në mënyrë jo-kushtetuese.
ZPRK-ja thotë se para shpalljes së datës së zgjedhjeve e ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Më poshtë reagimi i plotë i ZPRK-së:
U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin KO95/20, pas konsultimit paraprak me subjektet politike, dhe duke u mbështetur në dispozitat ligjore dhe praktikat paraprake, PARA shpalljes së datës së zgjedhjeve e ka shpërndarë legjislaturën e shtatë, përmes Dekretit nr.03/2021, të datës 6 janar 2021. Nxjerrja e Dekretit, është bërë përpara Vendimit për shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve, të cilat nxirren nga u.d. Presidentja. Si të tilla, të dyja kanë numra të ndryshëm të regjistrimit dhe evidentimit të tyre që përkojnë me llojin e aktit juridik. Para nxjerrjes së Dekretit për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë, në vitin 2021 janë nxjerrë dy dekrete të tjera, që mbajnë numrat paraprak të protokollit për Dekrete. Kurse para marrjes së Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve është nxjerrë një vendim tjetër paraprak me numër rendor para vendimit në fjalë.
Në po të njëjtën ditë të nxjerrjes së Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, ky Dekret është dërguar në Kuvend, i protokolluar me nr. 07/1371/Do-792, i datës 6 janar. Në protokollin e Zyrës së Presidentes, shkresa përcjellëse dhe Dekreti për shpërndarje të Kuvendit e ka numrin e protokollit 12, kurse shkresa përcjellëse dhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve e ka numrin rendor 13.
Pra, pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes Dekretit 03/2021, u.d. Presidentja ka shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe më pas përmes Vendimit 02/2021 ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.