Pas incidentit të mbrëmshëm ku është përfshirë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, “Tav” kompania që merret me menaxhimin e aeroportit të Shkupit është deklaruar përsëri. Nga kjo kompani kanë thënë se akuzat se punonjësi i tyre ka tentuar t’ia marrë telefonin Osmanit nuk qëndrojnë.
Sipas tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka udhëzuar që delegacionit t’i nënshtrohen kontrollit standard në aeroport.
Në reagim, po ashtu, theksohet se të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe gjërat personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.
“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rentgen. Në bazë të Dokumentit 30 të ECAC (Doc.30) dhe Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë. Nëse nuk jemi të harmonizuar me këto rregulla, piloti i fluturimit do të refuzojë hipjen në avion të pasagjerit”, thuhet në reagim.
Tutje u tha se “Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike i përjashton nga kontrolli i sigurisë vetëm mysafirët zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe operatori i aeroportit merr njoftim zyrtar për përjashtime të tilla nga Ministria e Punëve të Brendshme. Udhëzimet që ka marrë Departamenti ynë i Sigurisë nga Departamenti për Mbrojtjen e Disa Personave dhe Objekteve thonë qartë se anëtarët e delegacionit duhet t’i nënshtrohen një kontrolli standard të sigurisë në përputhje me procedurat e përcaktuara”, thuhet në njoftimin e plotë të TAV.
Ndryshe nga Presidenca e Kosovës kanë deklaruar mbrëmë për lajmi.net se presidentes i është kërkuar telefoni personal dhe çanta e dorës dhe në këtë rast Osmani ka refuzuar që t’ua jap ato për kontroll.
Pas kësaj njëri prej personelit të sigurimit ka shtyrë fizikisht presidenten Osmani.
Mediat maqedone raportuan se rasti ndodhi kur Osmani u kthye nga Franca, por kjo është e pavërtetë për shkak se presidentja ateroi në Aeroportin e Prishtinës me datë 30 qershor nga Franca.
Ajo ishte duke udhëtuar për diku tjetër në një vizitë zyrtare dje, kur edhe ndodhi incidenti.