Reagon Ukraina për deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se ai është i gatshëm të “negociojë me të gjithë të përfshirë në këtë proces për zgjidhje të pranueshme” në lidhje me luftën në Ukrainë.

Kështu raportojnë mediat e huaja shkruan agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke cituar intervistën e Putinit me TV shtetëror të dielën.

“Unë nuk mendoj se është aq e rrezikshme, mendoj se ne po ecim në drejtimin e duhur, duke mbrojtur interesat tona kombëtare dhe interesat e qytetarëve tanë, popullit tonë. Dhe ne thjesht nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të mbrojmë qytetarët tanë”, citohet të ketë thënë Putin.

“Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të gjithë të përfshirë në këtë proces për zgjidhje të pranueshme, por u takon atyre. Nuk jemi ne që refuzojmë të negociojmë, jemi ata”, ka shtuar ai.

Dhe pas kësaj ka ardhur një reagim nga Ukraina zyrtare.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak shkroi në Twitter duke thënë: “Putini duhet t’i kthehet realitetit”.

Rusia “sulmoi e vetme Ukrainën dhe po vret qytetarë”, shtoi Podolyak. “Rusia nuk dëshiron negociata, por përpiqet të shmangë përgjegjësinë. Kjo është e qartë, kështu që ne po shkojmë në Tribunal”.

Deklaratat e Putinit vijnë ndërsa Rusia vazhdon ofensivën e saj kundër Ukrainës.

Të dielën, Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donetskut, tha se trupat ruse goditën Kramatorsk me tre raketa. Një zonë industriale u godit por nuk pati viktima.

Të ngjashme