Real Madridi i frikësohet lëndimit të gjashtë të ACL-së në 15 muaj

Prishtinë | 09 Nën 2024 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Real Madridi e fitoi ndeshjen e sotme ndaj Osasunës me shifrat prej 4-0, por nuk ishte një ditë e mirë për ta.

Kjo pasi gjatë pjesës së parë, tre lojtarë të Real Madridit u lënduan.

Së pari Rodrygo, pastaj Militao dhe në fund Vazquez.

Por, braziliani Militao e pësoi më së keqti.

Në minutën e 26-të të ndeshjes, Eder Militao ra në tokë, duke mbajtur gjurin e tij dhe duke bërtitur me zë të lartë, njëjtë si Dani Carvajal ndaj Villarrealit para disa ndeshjesh.

Ai nuk mundi të ecte, derisa u desh që ta largojnë nga fusha me barrelë.

Sipas “Relevo”, Real Madridi frikësohet se ai mund ta ketë pësuar lëndimin e dytë në ligamentin kryqëzor të gjurit – i dyti në 15 muaj për mbrojtësin (së pari ndodhi në gusht të vitit 2023).

Po ashtu, ky do të ishte rasti i gjashtë për skuadrën e Real Madridit në këtë periudhë, pasi njëjtë e pësuan Thibaut Courtois, Joan Martinez, David Alaba dhe Carvajal.

Militao do t’i nënshtrohet testeve mjekësore, por që shenjat nuk duken të jenë të mira.

Të ngjashme