Real Madridi po tregon përparim në mbrojtje

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Barazimi pa gola i Real Madridit në derbin e qytetit ndaj Atletico Madridit, të shtunën, nuk ishte një spektakël i madh futbolli, por ka dëshmuar se skuadra e Zinedine Zidane po shkon në drejtimin e duhur.

Pasi pranoi gol në secilën nga pesë ndeshjet e para në të gjitha garat, duke barazuar me Valladolidin dhe Villarrealin në La Liga dhe duke pësuar 3:0 nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve, mediumet spanjolle vlerësuan se Real Madridi është në krizë.

Mirëpo, fitoret ndaj Sevillas dhe Osasunas dhe barazimi në derbi në “Wanda Metropolitano” ndaj Atleticos e kanë lënë Realin me 15 pikë nga shtatë ndeshje, duke kryesuar.

Barazimi ndaj Atleticos ka nënkuptuar se për herë të parë në të dy periudhat e Zidanet në klub, Reali nuk ka pranuar gol në tri ndeshje rresht në ligë.

“Ne kemi punuar në mbrojtje, që të jemi më solid”, ka thënë kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos. “Mendoj se morali në skuadër është shumë lart në këtë moment”, shkruan Reuters.

Real Madridi pranoi nëntë gola në pesë ndeshjet e para, por ka stabilizuar tash mbrojtjen, duke kënaqur edhe trajnerin Zidane.

Trajneri zgjodhi Federico Valverden të luajë në mesfushë me Casemiron dhe Toni Kroosin, në vend të opsioneve më ofensive si James Rodrigues e Isco.

“Valverde ka bërë shumë punë të mirë për skuadrën, ai gjithmonë përfshihet dhe po përmirësohet. Unë e kam marrë atë vendim, ai ka luajtur mirë dhe unë e zëvendësova më pas, pasi ndjeu diçka ai. Jam i lumtur me punën e tij. Ne kemi merituar më tepër se një pikë, duhet t’i përgëzoj lojtarët e mi, pasi ishin solid dhe nuk pranuan gol. Ne ishim mjaft të mirë në repartin defensiv, por po na mungon diçka në sulm, mirëpo do të punojmë në këtë aspekt”, ka thënë Zidane. “Ne kemi parë një Real Madrid të fortë, pasi nuk kemi lejuar asnjë rast. Por na mungoi kreativiteti. Megjithatë jemi të lumtur me paraqitjen”.

Barazimi ishte i treti për Realin në shtatë ndeshje në La Liga. Reali mbetet ekipi i vetëm në La Liga që ende nuk ka pësuar humbje këtë edicion.

Të ngjashme