“Zgjedhe një emër”, veç si titull duket paralajmërues për çështjen e identitetit. Në fakt ashtu edhe del të jetë. Filmi i Dritëro Mehmetajt përcjell fatin e Norës, 20-vjeçes që largohet nga vendlindja, pasi që familja nuk e pranon atë dhe vajzën e saj. Emigron në Çeki. E rrezikuar që të kthehet prej nga ka ardhur, pranon rrugë alternative në këmbim të qëndrimit. Opsion i vetëm u mbetet vetëm të zgjedhin se cili do të jetë emri i tyre i ri.
Ky ka qenë njëri prej katër filmave të fundit të garës kombëtare që janë shfaqur të mërkurën mbrëma në “DokuKino Plato”. Fituesi i kësaj kategorie bashkë me të tjerët do të shpallet të shtunën, në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 18-të, shkruan sot Koha Ditore.
Regjisori Mehmetaj do t’i niste xhirimet në qershor për t’i përfunduar në nëntor. Ishte detyrë në studimet master, në regji filmi, në institucionin prestigjioz “FAMU International” në Pragë.
“Gjithmonë e kam pasur vështirë për të realizuar një film që nuk e ka një temë që sadopak të identifikohem me të. Gjatë FAMU-s nuk kam pasur mundësi për të ardhur në Kosovë dhe e kam pasur të vështirë të gjeja një temë që mund të xhirohej jashtë Kosovës”, ka thënë ai, duke potencuar se pikërisht ky film ka qenë i tillë që ia ka mundësuar këtë gjë. Sa i përket festivalit, ai ka thënë se është rritur dhe edukuar duke parë filmat në “DokuFest”, përfshirë këtu edhe ata të FAMU-s.
“Jam edukuar duke ardhur e duke parë filma në ‘DokuFest’. Ky festival ka qenë vendi ku unë kam ardhur për të parë filma jashtë atyre që shohim në televizion, prandaj është ndjenjë e mirë për të pasur premierën në ‘DokuFest’ e pastaj për t’u bërë pjesë e festivaleve të tjera”, ka thënë Mehmetaj pas premierës së filmit.