Rebel Wilson paditet për fotot e paparacit në Instagram

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Aktorja Rebel Wilson po përballet me një proces gjyqësor federal për shkelje të së drejtës së autorit për një seri fotografish të paparacit, të cilat ajo i postoi në mediat sociale.

Zyrtarët në Xposure Photo Agency po e padisin yllin e “Pitch Perfect” për gjoja vjedhjen e fotografive nga “Daily Mail”, ku u publikuan në prill të vitit 2018, dhe për postimin e tyre në faqen e saj të Instagramit pa autorizim.

Imazhet në fjalë e paraqisnin Wilsonin me kolegen Anne Hathaway në vendxhirimin e komedisë së tyre “The Hustle”, ndërsa paditësit pretendojnë se ata u përpoqën t’i largonin fotografitë duke e paraqitur një njoftim ndalimi për komedianen australiane në shtator të vitit 2018, shkruan KOHA Ditore.

Megjithatë, ata prej atëherë janë detyruar të ndërmarrin veprime ligjore duke e dërguar Wilsonin në gjykatë, dhe tani po e padisin atë për 150.000 dollarë për shkelje, sipas dokumenteve të siguruara nga “The Blast”.

Ata, gjithashtu, po e kërkojnë një urdhër ndalese për Wilsonin që kurrë më të mos postojë fotot e tyre në internet për ndjekësit e saj, të cilët gjithsej janë më shumë se 6.7 milionë vetëm në Instagram.

Wilson nuk është ylli i parë që po përballet me padi për fotot e postuara në mediat sociale – kolegu i saj nga “Isn’t It Romantic”, Liam Hemsworth, po ballafaqohet me një padi të ngjashme nga drejtuesit e Splash News and Picture Agency, ndërsa modelistja Bella Hadid është përfshirë në probleme ligjore pasi postoi në internet fotografi në pronësi të Xposure.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme