Reçaku i harruar nga institucionet kosovare

Prishtinë | 24 Sht 2016 | 10:10 | Nga

Banorët e fshatit Reçak të Komunës së Shtimes kanë kërkuar punësimin e një punëtori për mirëmbajtjen e kompleksit memorial derisa aty kanë filluar të dëmtohen edhe pllakat e mermerit dhe shkronjat e mbishkrimeve, shkruan sot Koha Ditore.

Rreth kësaj çështjeje më datën 04.05.2016 banorët kishin drejtuar edhe një kërkesë zyrtare në komunë, me qëllim që kërkesa e tyre të realizohet, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Adem Ramadani, përfaqësues i fshatit Reçak, është ankuar se kompleksi nuk po mirëmbahet nga askush, ndërkohë nga cilësia e dobët e punimeve janë dëmtuar edhe mbishkrimet e martirëve.

“Ankesat e banorëve vazhdimisht janë në rritje për punësimin e një punëtori për mirëmbajtjen e kompleksit memorial të Reçakut. Gjithashtu po kërkojmë edhe rregullimin e pllakave të mermerit të cilat pothuajse të gjitha janë dëmtuar si dhe rrethoja duhet të ndërtohet në mënyrë që mos të hyjnë kafshët aty.

Kjo çështje është e ndjeshme për banorët, andaj kërkojmë nga ekzekutivi ta punësojë një punëtor, i cili mund të merret me mirëmbajtjen e këtij kompleksi”, ka kërkuar Ramadani.

Ai ka bërë me dije se ky kompleks e meriton një menaxhim të mirë derisa shumë personalitete dhe organizata të huaja e vizitojnë atë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme