Reçica: Diskutim publik për Projektligjin e pushimit të lehonisë deri më 25 tetor

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, në RTV Dukagjini ka folur për projektligjin për pushimin e lehonisë.

Reçica ka thënë se çështja e pushimit të lehonisë nuk është trajtuar asnjëherë me një ligj të veçantë, mirëpo përmes ligjit për marrëdhënie të punës.

Sipas tij, diskutimet publike në lidhje me këtë projektligj janë të hapura deri më 25 tetor, ku më pas të gjitha sugjerimet nga shoqëria civile dhe grupet e interesit do të dërgohen në Qeveri për miratim.

“Është një projektligj i cili përmban shumë risi dhe disa çështje që nuk kanë qenë fare të rregulluara. Përpara nuk ka qenë ligj i lehonave por, çështja e lehonave është trajtuar me ligjin për marrëdhënien e punës…Për herë të parë në historinë e legjislacionit e kemi nisur këtë projektligj që besoj që edhe në Qeveri dhe Parlament do të ketë përkrahje.

Nga ajo që kam marr nga organizata të ndryshme, ky projektligj është trajtuar mirë dhe po gëzon një përkrahje. Ka risi të mira pasi rregullohet çështja e gruas, e cila nuk është trajtuar sa duhet. Deri tani janë trajtuar vetëm lehonat e punësuara përmes ligjit të marrëdhënies së punës. Diskutimet publike janë hapur javën që shkoi dhe do të përfundojnë më 25 tetor. Ftoj të gjithë qytetarët, grupet e interesit etj që të qesin komente dhe sugjerime, me qëllimin e vetëm që ky projektligj të rregullohet”, ka thënë Reçica.

Reçica theksoi se në këtë projektligj do të ketë shumë risi, duke u munduar që përmes këtij projektligji të krijohet një siguri tek nënat që shkojnë në pushim të lehonisë.

“Ajo çka jemi përpjek është që gratë të ndjejnë një siguri që në momentin e shkuarjes në pushim dhe pas kthimit të 12 muajve pushim, ta kenë të siguruar vendin e punës, mos të krijohet hapësirë veçanërisht në sektorin privat, siç ka ndodhur në të kaluarën duke iu ndërprerë marrëdhënia e punës”, tha ndër të tjera ministri i MPMS, Skender Reçica.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme