Reçica: Kurti është në krizë të thellë politike, institucionale dhe personale

Prishtinë | 07 Kor 2025 | 12:53 | Nga Gzim Mujaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mungesë përgjegjësie dhe për bllokim të qëllimshëm të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

Reçica tha se VV-ja dhe lideri i saj nuk po bëjnë asnjë përpjekje për të dalë nga kriza institucionale, ndërsa theksoi se qëndrimet e PDK-së nuk kanë ndryshuar.

“Është papërgjegjësi e asaj partie dhe atij lideri, gjegjësisht VV-së dhe Albin Kurtit dhe nuk janë duke ndikuar fare që të zhbllokohet kjo situatë”, tha Reçica.

Ai shtoi se refuzimi i Kurtit për të ndryshuar kandidaten për kryetare të Kuvendit tregon mungesën e mbështetjes për të formuar Qeverinë.

“Kurti është në krizë, nuk i ka votat për kryeministër, për atë arsye nuk e ndërron kandidaten. Dhe Kurti për atë arsye i ka denoncuar edhe ata që sot janë në burg (Thaçi dhe të tjerët në Hagë) që po ndikojnë në jetën politike të Kosovës”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Sipas Reçicës, kjo dëshmon se Kosova po kalon një krizë të thellë që shkon përtej politikës dhe institucioneve, duke prekur edhe sferën personale të liderit të mazhorancës.

“Kjo dëshmon se çfarë krize të thellë, jo vetëm politike e institucionale, por edhe personale është Kurti”, tha ai.

Të ngjashme