Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sot mori pjesë në prezantimin e Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së 2021-2025, ku MPMS është e angazhuar për të adresuar sfidat dhe problemet që dalin nga dy prej 17 objektivave sa janë gjithsej pjesë e kësaj Kornize.
Lidhur me objektivin e parë “Eliminimin e varfërisë në të gjitha format kudo”, ministri Reçica tha se, dikasteri i tij në bashkëpunim edhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë do të angazhohet për të mbështetur grupet e cenueshme, familjet në gjendje të rëndë sociale, etj.
“Konkretisht, ne tashmë e kemi miratuar në qeveri edhe koncept dokumentin që i hap rrugë hartimit të një Ligji të ri të skemës së ndihmës sociale, në mënyrë që të kemi rritje të numrit të përfituesve të kësaj skeme dhe njëkohësisht zvogëlim të varfërisë”, tha ai.
Ndërsa, sa i përket objektivit të pestë, “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave”, ministri Reçica theksoi se, MPMS është duke u angazhuar që sa më parë të miratojë dy ligje tejet të rëndësishme dhe të domosdoshme; Ligjin e ri të punës dhe Ligjin për pushimin e lehonisë dhe prindëror”.
Për të jetësuar objektivat që dalin nga kjo Kornizë dhe me qëllim të zbatimit të indikatorëve të synuar, ministri Reçica nënvizoi se duhet të kemi një bashkëpunim sa më konkret në mes të nivelit qendror dhe lokal, duke përfshirë këtu edhe një bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Kosovës.