Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, kërkoi nga kabineti qeveritar më shumë angazhim për punësim të personave me nevoja të veçanta, raporton EkonomiaOnline.
“Më qëllim të rritjes së punësueshmërisë të personave me aftësi të kufizuara dhe respektim të ligjit që rregullon të drejtat për punësim të kësaj kategorie, në mbledhjen e sotme të Qeverisë kërkova nga Ministria e Administratës Publike, si përgjegjëse për krijimin e politikave për rekrutimin e shërbyesve civil, që të krijojë një mekanizëm të veçantë për punësim të personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me Ligjin për Shërbimin Civil”, tha Reçica.
Reçica tha se, me këto veprime konkrete, si Qeveri do të tregonim gatishmërinë që kjo kategori me nevoja të veçanta të mos mbetet edhe më tej e margjinalizuar nga punësimi, por të jenë pjesë e integruar e shoqërisë me kushte të barabarta jetese dhe të së drejtës në punë, raporton EO.
“Vetëm nëse këto kategori trajtohen në mënyrë të merituar, atëherë edhe mirëqenia sociale do të jetë në një nivel më të lartë”, tha ministri.