Në kuadër të përmbylljes së “Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka vizituar fabrikën “NewCo Ferronikeli”, raporton Ekonomia Online.
Reçica me këtë rast ka thënë se do të jenë bashkë me inspektoratin në terren për të monitoruar se në çfarë kushtet punojnë punëtorët dhe sa kanë siguri në vendet e punës.
Ai ka shtuar se do të jenë të pakompromis ndaj atyre që nuk respektojnë ligjet në fuqi.
“Ndodhemi këtu në Ferronikel ku u informuam për punën që bënë kjo industri për angazhimet e tyre në drejtim të ofrimit të kushteve më të mira të përmirësimit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Ka këso fabrika si kjo që përkundër problemeve në rrethana pandemish kanë sigurinë e punëtorëve”.
“Ne u zotuam që kurdo, por 350 ditë bashkë me inspektoratin do të jemi në teren ku nuk respektohen të drejtat e punëtorëve me qëllim që të bindim punëdhënësit se puna e punëtorit është më e rëndësishmja”.
“Nga 820 punëtorë vetëm 20 punonjës kanë qenë të prekur dhe kanë pasur kujdes gjatë pandemisë. Të drejtat e punëtorëve mbetet prioriteti i ministrisë. Tani ne kemi në procedurë Ligjin e inspektoratit i cili është në pritje për tu miratuar në Kuvend. Do të jemi pakompromis ndaj atyre që nuk respektojnë masat në vendin e punës”.
Genc Beribashi përfaqësues i “Ferronikelit”, tha se janë duke zbatuar masat e marra nga Qeveria sa i përket parandalimit të pandemisë, raporton EO.
“Ne kemi marrë masat nga Qeveria. Tash e kemi kaluar me sukses dhe shpresoj të mos kemi nga vala e dytë e pandemisë”.