Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Recica, ka thënë se është duke u punuar për draft dokumentin për Ligjin e ri për skemat pensionale, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjaku Topalli, u interesua të dinte për skemat pensionale për familjet të cilat sipas ligjit, mund të përfitojnë nëse kanë një fëmijë nën moshën pesë-vjecare.
Recica tha se njëri ndër kriteret e ligjit është përfitimi për fëmijët që janë nën këtë moshë. Sipas tij, gjatë këtyre muajve do të jetë gati draft-dokumenti për ligjin e ri.
“Është e rregulluar me ligjin për financimin për skema pensionale. Është edhe neni që përcakton se cilat familje mund të përfitojnë nga skemat pensionale. Një nga kriteret është që të kenë një fëmijë nën moshën pesë-vjeçare. Për këtë kemi krijuar grupin punues për të bërë dokumentin. Mund t’iu siguroj që ky kriter me ligjin e ri nuk di të jetë më pjesë e kësaj fushe sa i përket përfitimit të skemës pensionale. Gjatë tërë vitit 2018 kemi bë një sërë reformash. Për 2018 kemi filluar me reformën e ndihmës së asistencës sociale. Deri në fund të pjesës së parë të këtij viti do ta kemi të përfunduar draft dokumentin dhe do ta keni ligjin e ri”, ka thënë Recica.
Ministri Reçica u përgjigj edhe për sigurinë dhe shëndetin në punë. Ai tha se kjo është sfidë për institucionet e Kosovës, por janë duke u marrë masa.
Sipas tij, janë krijuar fushata vetëdijësuese dhe të gjitha vendpunishtet që nuk kanë plotësuar standardet iu është ndërprerë puna.
“I kemi realizuar disa fushata vetëdijësuese. Kemi kërkuar punëmarrësve dhe punëdhënësve ndërmarrjen e masave të nevojshme. Meqë këto fushata nuk dhanë efekt kemi marrë iniciativë të fushatë gjithëpërfshirëse. Të gjitha vend-punishtet që nuk i kanë përmbushë standardet iu është ndërpre puna”, tha Recica, raporton EO.
Sipas tij, si asnjëherë më parë është duke u trajtuar çështja e marrëdhënies në punë.
“Dua t’iu informoj se përpos ndërtimit Kosova ka edhe probleme të tjera në punë dhe ato janë sëmundjet profesionale në punë. Nuk kemi një mënyrë se si ti edukojnë punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe ta kemi këtë edukim edhe në shkolla. Si asnjëherë me parë jemi duke e trajtuar çështjen e sigurisë në punë. Sa i përket marrëdhënies së punës është duke u realizuar si projekt”, shtoi ai.