Nën kryesimin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Ekonomik-Social, ku nga anëtarët e pranishëm janë miratuar vendimet për konsolidimin e pesë komisioneve profesionale, në përbërjen e të cilave janë përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, organizatat e të punësuarve (sindikatat) dhe organizatat e punëdhënësve.
Menjëherë pas miratimit të këtyre komisioneve, ministri i MPMS-së, Skender Reçica, ka kërkuar nga Komisioni profesional për financa, ekonomi dhe privatizim, që sa më parë të fillojë punën për analizimin dhe sjelljen e propozimit profesional për pagën minimale në vend, për miratim në KES, për t’u proceduar pastaj për qeveri.
Gjithashtu, ministri Reçica një kërkesë të tillë e ka adresuar edhe tek Komisioni profesional për legjislacion, që të nisë sa më parë punën për hartimin e kontratës kolektive në vend, e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha palët duke pasur për bazë edhe situatën pandemike dhe parasëgjithash të jetë një kontratë e zbatueshme nga të gjitha palët.