Në konferencën vjetore të projektit “Stabiliteti Socio-ekonomik i komuniteteve etnike pakicë dhe shumicë në Kosovë”, i cili po zbatohet nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm – PREDA Plus, në partneritet me Arbeiter Samariter Bund – ASB, mori pjesë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Synimi i këtij projekti është që të krijojë kushte për jetesë të qëndrueshme, punësim dhe zhvillimin e komuniteteve pakicë dhe shumicë në Kosovë përmes mbështetjes për ndërmarrjet ekzistuese mikro dhe të vogla, ndërmarrjet prodhuese që punësojnë kooperantë si dhe duke ngritur kapacitetet e shoqatave të biznesit dhe atyre bujqësore.
Ministri Reçica tha se është kënaqësi për të që të jetë pjesë e këtij takimi i cili ka të bëjë me stabilitetin socio-ekonomik të të gjitha komuniteteve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Si ministri jemi seriozë në zbatimin e projekteve të tilla duke mbështetur me zyrat e punësimit në të gjitha komunat e Kosovës me qëllim që së bashku me partnerët implementues të punojmë për të krijuar jetesë të qëndrueshme dhe kushte më të mira socio-ekonomike për familjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë pa dallim”, tha Reçica.
“Objektivat e këtij projekti janë të qarta, pra krijimi i vendeve të reja të punës dhe gjenerimit të të hyrave për shumë familje dhe ne si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale zotohemi se do të jemi të përkushtuar me gjithë potencialin tonë që këto objektiva të arrihen me përpikëri”, shtoi Reçica.
“Të gjitha këto projekte kanë të bëjnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe mirëqenies së tyre duke i përkrahur në punësim, përgatitje dhe aftësim për mikro-biznese dhe biznese të vogla si dhe ndarjen e granteve për të filluar këto biznese punën e tyre”, tha Reçica.
Drejtori i projektit, Valentin Hoxha, foli për punën e bërë dhe rezultatet e arritura duke vlerësuar lart partneritetin me komunat, MPMS-në, shoqatat e biznesit dhe ato bujqësore. Po ashtu, stafi i projektit bëri prezantime më të detajuara të aktiviteteve madhore të projektit.
Drejtori Rajonal për Evropën Juglindore, Elmir Bojadzic, tha se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili do të vazhdojë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Ne jemi duke bërë një qasje rajonale dhe vetëm dje kemi nënshkruar hapat e parë në zgjerimin e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe do të bëhet në 5 vende të tjera dhe tani mund të them lirisht që do të bëhen në regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me ndihmën e strukturave të tyre më të larta”, tha Bojadzic.
Gjatë këtyre prezantimeve u dhanë shifra mbi numrin e vendeve të reja të punës që janë krijuar, mbështetjen që iu është bërë bizneseve përfituese si dhe u prezantuan 3 studime që ndihmojnë në krijimin e politikave zhvillimore në sektorin bujqësor dhe atë ndërmarrës.
Përveç zyrtarëve komunalë, në konferencë ishin të ftuar edhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë, Odës Ekonomike Kosovaro-Gjermane, Agjencionit për Punësim në Kosovë, shoqatave të biznesit dhe ato bujqësore, si dhe shoqatave të grave ndërmarrëse nga komunat partnere.
Ky projekt është i fincancuar nga “Global Engagement” në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.