Reciprociteti për targat, Trajkoviq: Vuçiq kishte shpresuar se Kosova do të ndahej deri në vitin 2021

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Politikanja serbe dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve

Trajkoviq në një intervistë për Telegrafin, e ka cilësuar të dëmshme krizën e shkaktuar për raportet mes dy vendeve.

Ajo thotë se është shqetësuese që kryeministri Albin Kurti nuk mund të zmbrapset nga ky vendim, sepse do të komprometohej në prag të zgjedhjeve lokale.

Në pozitë të njëjtë, sipas saj është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka nisur forcat ushtarake drejt Rashkës, duke menduar për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ndërsa, duke folur për Marrëveshjen e vitit 2016 lidhur me targat, Trajkoviq thotë se Vuçiq e kishte nënshkruar atë duke shpresuar se deri në vitin 2021 (kur do të skadonte afati i saj) do të vinte deri të ndarja e Kosovës ose shkëmbimi i territoreve, “si zgjidhje për të cilën ishin angazhuar ai [Vuçiq] dhe Thaçi”.

Trajkoviq thotë se momentumi i shkaktimit të krizës më reciprocitetin e targave është i papërshtatshëm, madje, sipas saj, i papërgjegjshëm, sepse po ndodh gjatë pandemisë së coronavirusit, i cili mori shumë jetë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe që tashmë po e vështirëson funksionimin normal.

“Kjo krizë po ndodhë edhe në atmosferën parazgjedhore në Kosovë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në rrethana të vështira dhe për të cilat është shqyrtuar mundësia të mos mbaheshin [shtyhen]. Futja e Kosovës në një gjendje të jashtëzakonshme shtesë në rrethanat e një gjendjeje të jashtëzakonshme tashmë ekzistuese nuk është një vendim i përgjegjshëm. Nëse vazhdon kështu dhe nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën, serbët dhe shqiptarët në gjendje të jashtëzakonshme vështirë se do të jenë në gjendje të bëjnë një fushatë efektive zgjedhore. Për më tepër, tani nuk dihet nëse serbët e Kosovës do të dalin fare në zgjedhje në këto rrethana. Kjo do të thotë kthim mbrapa i situatës dhe proceseve politike në Kosovë”, tha Trajkoviq.

Politikania serbe thotë se “një problem tjetër është se tërë kjo vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në vendkalimet administrative e izolon më tej Kosovën dhe e përjashton atë nga funksionimi normal në rajon.

Shumëkush tani do ta shmang Kosovën si rrugën e tyre transit, gjë që bart rreziqe dhe pasoja të mëtejshme ekonomike, politike dhe të sigurisë”.

Trajkoviq ka folur edhe për rreziqet që sjell gjendja e krijuar pas aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

“Me gjithë vullnetin e mirë të Policisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë, një situatë kaq të ndjeshme kurrë nuk mund ta kontrolloni plotësisht. Ekziston një rrezik serioz që ndonjë reagim i papritur t’i çojë protestat në një drejtim të padëshirueshëm. Sa më gjatë të qëndrojnë në barrikada, aq më e madhe është mundësia e konfliktit dhe radikalizimit. Ndërsa tani shohim se forcat serbe i janë afruar vijës administrative të Kosovës”, tha ajo.

“Shqetëson fakti se kryeministri i Kosovës, Kurti, nuk mund të kthehet prapa pas vendimit të tij për reciprocitetin, sepse me këtë do ta komprometonte veten para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Vuçiq është në një pozicion të ngjashëm në Beograd dhe ka nisur forcat serbe drejt Rashkës, sepse edhe ai mendon për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe shqetësohet nëse do të veprojë fort dhe sa duhet te  votuesit e tij. Të dyja palët kujdesen më shumë për rejtingun e tyre, dhe këtu nuk ka kushte për të lëshuar pe ose përgjegjësi të mjaftueshme personale për kompromis. Prandaj është një situatë shumë shqetësuese ku askush nuk mendon për njerëzit e zakonshëm. Ndërsa, përmes menaxhimit të keq të pandemisë, ne kemi parë tashmë se as Beogradi dhe as Prishtina nuk kujdesen shumë për njerëzit e thjeshtë”, tha Trajkoviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme