Veprat e kompozitorit kosovar Artan Hasani janë luajtur nëpër vende të ndryshme të botës, por në Kosovë për herë të parë disa prej tyre u prezantuan në një natë të vetme. “Recital krijues” u quajt mbrëmja ku shtatë vepra të ndryshme të tij u luajtën për publikun kosovar, i cili mbushi përplot amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Kjo mbrëmje u mbajt në kuadër të natës së fundit të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”.
“The Moon” ishte vepra që hapi mbrëmjen e cila është e kompozuar për kuartet harqesh. Vlora Çitaku, Pleurat e Vesa Doli dhe Arian Zherka sollën këtë vepër e cila përcillet me tinguj modernë, por edhe klasikë për t’ia lënë vendin “The flying carpet” e kompozuar për kuartet klarinetash. Këtu vihen në pah edhe elemente të rralla të muzikës shqipe. Ndërsa vepra “Labyrinth” për dy flaute dhe piano është goxha bashkëkohore. Deri në këtë moment gjithçka ishte në rregull, deri kur rryma u ndal në sallë. Në momentin që “Brass Trio” nisi interpretimin e veprës për trumbetë, korno dhe trombon, salla u errësua. Publiku nën duartrokitje të forta mbështeti instrumentistët të cilët vazhduan më pas interpretimin nën dritat e telefonave mobilë. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë dhe drita u kthye. Mbrëmja vazhdoi me performancën e Jeta Dida-Bujarit në piano, e më pas në skenë u ngjit okteti i klarinetave për të sjellë veprën “Funny Dialogue”. Pjesa e parë e mbrëmjes përfundoi me veprën “Fantasia 4321” për flaut dhe piano.
Hasani këto vepra të cilat i prezantoi të martën i ka kompozuar brenda një periudhe gati 10-vjeçare.
Pjesa e dytë e koncertit solli një formacion të ri muzikor. Bëhet fjalë për ansamblin vokal “Zanat”. Ky formacion ka anëtare soliste të Korit të Filarmonisë së Kosovës. I përbërë nga pesë zëra, ansambli ka për qëllim të promovojë, të ruajë e të kultivojë muzikën shqiptare përmes zërave e interpretimeve interesante. Qëllimin e tyre pesë solistet – Adelina Thaçi, Elisa Kryeziu, Diellza Sylejmani, Arstina Kelmendi dhe Albana Piperku- e shtjelluan shumë mirë me programin që kishin përgatitur.