Zviceranët votuan pro ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik, duke përfshirë burka ose niqabin e veshur nga gratë myslimane.
Rezultatet e referendumit të së dielës ishin shumë të afërta 51.2% pro ndalimit me 48.8% kundër.
Propozimi u paraqit nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë e cila bëri fushatë me parulla të tilla si “Stop ekstremizmit”.
Një grup kryesor islamik zviceran tha se kjo ishte “një ditë e errët” për myslimanët.
Qeveria Zvicerane është shprehur kundër ndalimit duke thënë se nuk i takonte shtetit të diktonte atë që veshin gratë.
Sipas hulumtimeve askush në Zvicër nuk mban burka dhe vetëm rreth 30 gra mbajnë niqab.
Rreth 5% e popullsisë së Zvicrës prej 8.6 milionë njerëz janë myslimanë, shumica me origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova.