Sa herë nuk i kuptojmë sjelljet e ndërkombëtarëve është mirë ta lexojmë dhe rilexojmë Marrëveshjen e Rambujesë nga viti 1999. Analizimi serioz i Marrëveshjes së Rambujesë, me 86 faqet e saj në versionin origjinal në gjuhën angleze, për politikanët shqiptarë dhe jo vetëm, sot dhe për shumë vite të ardhshme, mund të shërbejë si fanar për t’u orientuar në një det të trazuar, të cilit aq shumë i ngjan sot politika ndërkombëtare.
Jo vetëm për shkak të luftërave që aktualisht po zhvillohen, por edhe për shkak se në krye të shteteve më të fuqishme të botës mund të vijnë edhe njerëz të papërgjegjshëm, të tipit të Trumpit.
E gjithë marrëveshja mund të shpjegohet me dy-tre fjali. Ajo ishte e konceptuar në atë mënyrë që më shumë kujdesej për implementimin e interesave të vetë hartuesve të saj, që ishin mjaft heterogjene, sesa për interesa të cilësdo palë në konflikt. Në raport me Serbinë i ngjanin ofertës: ma jep pushtetin ushtarak, ta lë pushtetin politik mbi Kosovën dhe ta garantojë integritetin territorial, kurse në raport me Kosovën: kënaquni me autonomi nën Serbi, kurse ne kujdesemi për sigurinë tuaj dhe ju garantojmë se askush nuk guxon t’ju rrahë, dhe premtimin se pas tre vjetëve e rishqyrtojmë pozitën e juaj!
Për t’u bindur në pohimin e parë mjafton një citat nga kjo Marrëveshje ku thuhet:
“Personeli i NATO-s, me vetura, anije, aeroplanë dhe pajisje të tjera, do ketë lirinë e lëvizjes së lirë dhe të pakushtëzuar në gjithë territorin e RFJ-së, hapësirës ajrore dhe ujërave territorialë, do të ketë të drejtë të vendos kampe dhe kazerma.
Kurse, për pohimin e dytë mjafton ky citat:
“Tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të thirret një mbledhje ndërkombëtare për të përcaktuar një mekanizëm për një zgjidhje finale për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, të mendimeve të autoriteteve relevante, të përpjekjeve të secilës palë në lidhje me implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe të Aktit Final të Helsinkit”
Pra, edhe pse përmendej “vullneti i popullit” nuk flitej për formën e shprehjes së këtij vullneti siç është referendumi, por përmenden “autoritete relevante”(?) dhe Akti Final i Helsinkit, që parasheh mosndryshimin e kufijve në Evropë pa pëlqimin e të dy palëve. Përveç kësaj, në marrëveshje në disa vende përmendet obligimi që të ruhet integriteti territorial i Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), sikurse edhe prania e forcave ushtarake jugosllave në kufijtë e Kosovës, edhe pse me numër dhe lloj të armatimit të kufizuar.
Shikuar nga perspektiva e sotshme, ngjarjet dhe sjelljet e bashkësisë ndërkombëtare në 2-3 vitet e fundit, në raport me Kosovën dhe Serbinë, më ngjajnë planit “B” për realizimin e synimeve nga Marrëveshja e Rambujesë, edhe pse të zbutura dhe adaptuar rrethanave të reja. Të zbutura, sepse nuk kërkohen nga Serbia kushtet e cekura më sipër por kënaqen me largimin e saj nga Rusia dhe afrimin me NATO dhe hyrjen eventuale në NATO pas një kohe, kurse nga Kosova nuk kërkohet pranimi i autonomisë, por krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me perspektivë që veriu i Kosovës të shkëputet dhe i bashkëngjitet Serbisë dhe “Botës Serbe”.
Rrethanave të reja, sepse nuk mund të zhbëhet pavarësia e Republikës së Kosovës, e pranuar nga më shumë se gjysma e shteteve të botës dhe sepse shqiptarët luftuan për këtë pavarësi dhe do luftonin prapë nëse rrezikohet kjo pavarësi.
Ose më thjesht, porosia për serbët është: Hyni në NATO, nëse e doni veriun e Kosovës!
Vetëm kështu mund të shpjegohet sjellja e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës.
Ajo që nuk mund të shpjegohet është sjellja e autoriteteve të Shqipërisë dhe opozitës në Kosovë. Apo, edhe kjo mund të shpjegohet, por shpjegimi është i hidhur?!