“Unë do të jem pasqyra juaj që reflekton zjarrin, perëndinë, yjet, dashurinë, bukurinë, monstrumin, botën, inatin, fëmijën, gënjeshtrën, dhimbjen, mua, në ty”. Ky është mesazhi që do të përcjellë edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
Mesazhi i bashkëngjitet temës kryesore, që këtë vit do të jetë “Reflektimi”. Prej datës 3 deri më 11 të muajit gusht, “DokuFest” përmes kampanjës së festivalit e po ashtu edhe kombinimit të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave të ndryshme do ta trajtojë këtë temë.
“Reflektimi”, sipas organizatorëve të festivalit, ka ardhur si frymëzim nga kënga “I’ll Be Your Mirror” e rock-bendit të njohur amerikan “Velvet Underground”, i cili në vitin 1964 u themelua nga këngëtari e kitaristi i njohur Lou Reed, multi-instrumentisti John Cale, kitaristi Sterling Morrison dhe bateristi Angus MacLise, i cili një vit më pas u zëvendësua me Moe Tucker. Kjo këngë është pjesë e albumit debutues “Velvet Underground & Nico”, ku këngëtarja gjermane Nico u bashkohet atyre në disa këngë.
“Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground, ‘I’ll Be Your Mirror’, programi i ‘DokuFest’ synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi”, shkruhet në komunikatën me të cilën “DokuFesti” të enjten ka zbuluar temën e edicionit të sivjetmë.