Organizata Studentore “Reforma” ka prezantuar rezultatet e hulumtimit se sa nga dekanët dhe prorektorët kanë të publikuara në web faqet zyrtare të fakulteteve të tyre punimet e doktoratës (PHD), punime këto me të cilat ata fitojnë titullin profesor, raporton Ekonomia Online.
Sipas publikimi të kësaj organizate nga pesë prorektor të Universitetit të Prishtinës (UP), tre nga ta nuk i kanë të publikuara punimet e doktoratës në web-faqet zyrtare të fakulteteve e po ashtu edhe mbi 60 për qind e dekanëve nuk i kanë të publikuara këto punime.
Ismet Krasniqi, kryetar i kësaj organizatë, tha se mos publikimi i këtyre punimeve është çështje shumë shqetësueses dhe se shton dyshimet që ato punime mund te jenë plagjiaturë.
Ai ju ka bërë thirrje të gjithë dekanëve dhe prorektorëve që t’i publikojnë të gjitha punimet e tyre në faqen zyrtarë të UP-së deri në fund të janarit.
“Kjo është tejet shqetësueses për ne sepse nuk i dimë arsyet pse nuk i kanë publikuar ende këto punimet edhe pse e kanë fituar titullin profesor. Gjendja nuk është më e mire as me dekanët. Nga 14 Njësi Akademike në Universitetin e Prishtinës nga Stafi Menaxherial (Dekanët), kemi 11 dekanë të cilët nuk i kanë të publikuara punimet e tyre të doktoratës (PHD) në web faqet zyrtare të fakulteteve, kurse 3 nga dekanët e Universitetit i kanë të publikuara punimet e tyre të doktoratës në web faqet e fakulteteve. Kemi të bëjmë me një jotransparencë akademike, kemi mbi 60 për qind e dekanëve që nuk i kanë publikuar këto punime. Kjo lenë hapësirë që ne të dyshojmë pse ende nuk janë publikuar këto punime, pra a janë plagjiaturë apo arsye të tjera. Nga këtu ju bëjmë thirrje që më së largu deri në fund të janarit ti publikojnë punimet e doktoratës”, tha ai.