Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në selinë blu me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dhe aleatët e PD, ku në përfundim, foli edhe për gazetarët, ku dha dy emrat që opozita ka përcaktuar për dialog me Partinë Socialiste.
Basha tha se Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili janë dy emrat që opozita do të ulë në tryezën për Reformën Zgjedhore, që po zhvillohet tashmë, megjithëse kur u pyet nga gazetarët, Basha tha se nuk ka dijeni për një tryezë të tillë.
Pyetjes, se a do të ulet PD me Damian Gjiknurin, pas gati 2 vitesh akuza për përfshirje në krim zgjedhor, kryedemokrati iu përgjigj se “Ne kemi zgjedhur përfaqësuesit tanë. S’më intereson kë zgjedh PS”.
Jo më larg se dy ditë më parë, kryedemokrati Lulzim Basha përsëriti thirrjen për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, për të parë amendamentet e opozitës për Reformën Zgjedhore, teksa la të hapur mundësinë për zgjedhjen e çdo lloj sistemi që populli kërkon për sistemin zgjedhor, megjithëse nuk përcaktoi qartë se cila do të ishte metoda mbi të cilën populli do të jepte verdiktin për sistemin zgjedhore.
Propozimi në Kuvend
Ndërkohë po sot, pesë deputetë të opozitës parlamentare kanë depozituar propozimet e tyre në Kuvend për Reformën Zgjedhore. Deputetët që kanë dorëzuar propozimet janë Arben Elezi, Arlind Çarçani, Korab Lita, Alban Zeneli dhe Halil Jakimi, të cilët kanë kërkuar që nga 12 qarqe të zgjidhen vetëm 100 deputetë.Ishte deputeti Elezi që nga selia e Kuvendit, njoftoi se ai dhe 4 kolegët e tij kanë depozituar një kërkesë për të bërë ndryshime në paketën e Reformës Zgjedhore.
Në letrën e tyre, në të cilën kanë hedhur edhe firmat, pavarësisht gabimeve ortografike të shumta (dhe mungesës së një koke, e numër protokolli) deputetët shprehen se janë të vetëdijshëm që nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet, por kërkojnë heqjen e monopolit të marrjes së vendimeve që sipas tyre deri tani e kanë vetëm partitë e mëdha.
Letra e deputetëve
“Ne jemi të vetëdijshëm se ndryshimi që mund dhe duhet të bëhet në sistemin zgjedhore nuk arrin t’i zgjidhë plotësisht problemet, situatat dhe sfidat me të cilat përballet demokracia në vendin tonë. Bashkë me të dhe po kaq e rëndësishme është ndërhyrja dhe ndryshimet që duhet të bëhen në ligjin për partitë politike, për financimin elektoral të tyre, për demokratizimin e brendshëm të tyre, shmangien e konfliktit të interesit dhe heqjen e monopolit të partive mbi procesin e administrimit zgjedhor”, shkruhet në letrën e tyre.
Në dhjetor të vitit të kaluar dy deputetë të tjerë të opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri depozituan ne Kuvend disa propozime të tyre, që kishin të bënin me ndryshimin e paketës për Reformën Zgjedhore. Po në atë kohë, bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, kanë mirëpritur propozimet dhe thanë se ato do shqyrtohen në janar.