Reformat e Bidenit, shkarkohet drejtori i zyrës serbe në DFC për Ballkanin Perëndimor

| 05 Mar 2021 | 13:18 | Nga

Koorporata Financiare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) ka shkarkuar John Jovanoviqin, drejtor i zyrës rajonale për Ballkanin Perëndimor në Beograd.

Jovanoviqi ka thënë se zyra e DFC-së në Beograd ka vendosur bazat për një angazhim serioz ekonomik të SHB-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ekziston një menaxhim i ri i zyrës në Uashington që do të vazhdojë të punojë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ai.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator të 2020-s, në prani të ish-presidentit Donald Trump, kishin arritur një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, e cila ndër të tjera, synim kishte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Marrëveshja kishte disa pika, një ndër to thoshte se do bëhej “sigurimi i financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”. Mirëpo, këtë marrëveshje nuk e përfilli presidenti i zgjedhur i SHB-së, Joe Biden, në letrën e tij të parë drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në letër, Bideni nuk e kishte përmendur fare marrëveshjen e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë distancim të Bidenit për normalizim ekonomik, kishte folur edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha. Shasha shkruante se ky është tregues i qartë i rëndësisë së kësaj marrëveshjeje.

“Fakti qe Presidenti Biden se përmend fare Marrëveshjen e Uashingtonit në letrën e dërguar Vuçiqit, tregon krejt çka na duhet të dimë për rëndësinë e asaj marrëveshje ‘historike’”, kishte shkruar Shasha.

Të ngjashme