Media të huaja raportojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe po bëjnë një kthesë rrënjësore duke njoftuar shpejt, në këtë vend do të lejohet konsumi I alkoolit dhe bashkëjetesa jashtë martesës, ndërsa të ashtuquajturat “vrasje për nder”, do të gjykohen.
Rishikimi i paralajmëruar i ligjeve islamike në vend me zgjerimin e lirive personale, reflekton siç thuhet, profilin e ndryshuar të një vendi i cili ka kërkuar ta shfaqë veten si një destinacion më perëndimor për turistët e huaj dhe biznesmenët, në një kohë kur kodi i rrepte ligjor islamik i tij është bere më parë shkas për çështje gjyqësore kundër të huajve.
Reformat synojnë të nxisin rritjen ekonomike të vendit dhe ‘të konsolidojnë parimet e tolerancës së Emirateve të Bashkuara Arabe’, tha agjencia shtetërore e lajmeve WAM, e cila ofroi shumë pak detaje rreth njoftimit te befasishëm.
Lëvizja pason një marrëveshje historike të ndërmjetësuar nga SHBA për normalizimin e marrëdhënieve mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, e cila pritet të sjellë një fluks turistësh izraelitë dhe investimesh.
Ajo vjen gjithashtu në kohën kur Dubai i mbushur me rrokaqiej përgatitet gati për të pritur World Expo, eventi që pritet të sjellë një fluks të aktivitetit tregtar dhe rreth 25 milionë vizitorë, e që ishte shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sektori i turizmit, i cili përbën rreth 5% të PBB-së së Emirateve të Bashkuara Arabe, është prekur si shumë të tjerë nëpër botë prej karantinave globale dhe kufizimit të fluturimeve/Top Channel.