Sipas vlerësimeve të Institutit për Tregun e Punës dhe Studimin e Profesioneve (IAB) refugjatët po integrohen më shpejt në tregun e punës, se sa mendohej më parë.
“Unë mendoj, se në vjeshtë afër 40% e refugjatëve në moshën e punës do të arrijnë të futen në tregun e punës”, ka thënë së fundmi drejtuesi i sektorit të migrimit, integrimit dhe studimit të tregut të punës në IAB, Herbert Brücker për rrjetin redaksional, “Netzwerk Deutschland”.
Me këto ritme mund të jemi „të kënaqur”, tha ai, “po të kujtosh se kushtet fillestare të refugjatëve në vitin 2015 e më pas ishin shumë të vështira”, kjo sepse, gjermanishtja si gjuhë është shumë më larg arabishtes, se gjuhët e refugjatëve që erdhën nga Ballkani në vitet 90-të”.
Me zanat po pa shkollë profesionale
Brücker tha më tej, se afërsisht 36% e refugjatëve në moshën 15 deri në 64 vjeç janë të punësuar.
“Këta janë rreth 380.000-400.000 vetë. Shumë prej tyre janë të punësuar si punëtorë për një kohë të kufizuar, edhe pse me rroga relativisht të ulta”.
Por përveç kësaj, thotë eksperti Herbert Brücker, ka një numër të madh refugjatësh që punojnë në gastronomi, në fushën e “Security”, të pastrimit, në ndërtim dhe në kujdesin shëndetësor ndaj të moshuarve”.
Afër 50% e refugjatëve në Gjermani kanë një punë të kualifikuar.
“Kjo është një vlerë e lartë, po të mendosh, se vetëm çdo i pesti refugjat para ardhjes ka pasur një shkollë profesionale apo universitet”, thotë Brücker.
Eksperti e shpjegon këtë me atë, që në vendet origjinë ata kanë kryer punë të kualifikuara, edhe pa diplomë profesionale.
“Në vende si Siria nuk ka shkollë profesionale për mekanikët si tek ne. Zanati mësohet në punë”. Kurse mjekët apo studiuesit kategorizohen në statistikat e IAB si specialistë.
“Në këtë sektor punojnë maksimalisht 6% e refugjatëve”./dw