Qindra refugjatë, kanë vazhduar sërish të përleshen me forcat kufitare greke, pasi po tentojnë të largohen nga qyteti kufitar Edirne i Turqisë.
Greqia është e vendosur t’i kthejë prapa të gjithë, ndërsa po vazhdon të hedhë gaz lotsjellës në drejtim të refugjatëve, në mënyrë që t’i largojë, transmeton Telegrafi.
Mirëpo, Turqia është e vendosur që të mos e ndalojë asnjë refugjat, pas vrasjes së 33 ushtarëve turk nga forcat siriane.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka bërë të ditur, se do t’i hapë kufijtë, duke iu orfuar rreth 3.6 milionë refugjatëve që të marrin rrugë për në Evropë.
“Tashmë kanë kaluar 18 mijë njerëz, ndërsa deri në fund të ditës do të dalin deri në 30 mijë. Kufijtë i kemi hapur dhe ashtu do të mbesin”, ka thënë Erdogan.
Ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi Stambolli po i transporton falas refugjatët për në kufi me Greqinë, megjithëse një numër i tyre po përpiqen të shkojnë në Bullgari.
Imazhet shqetësuese, ku shihen refugjatët lënduar nga gazi lotsjellës dhe prej telave me gjemba, do duhej të ishin thirrje për autoritetet e Bashkimit Evropian, që të punojnë në zgjidhjen e problemit të tyre.
Deri tani, Bashkimi Evropian i paguante Turqisë që t’i strehonte, por me vendimin e Ankarasë zyrtare ka ndryshuar ky sistem.