Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar deri më tani nga Ukraina, për shkak të pushtimit të Rusisë. Derisa OKB thotë se ky numër i madh i ikjes së popullatës nga vendi amë është kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shkas për këtë rritje është sigurisht frika dhe dëshira e ukrainasve për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga vdekja, por edhe për t’ua siguruar më të vegjëlve të tyre një të ardhme me më së paku kujtime e trauma nga pamjet tmerruese që ata po i shihnin.
Kështu thanë për infosot.com dy ukrainaset që tani më janë refugjate në një familje kosovare në Prishtinë.
Duke i rrëfyer sfidat përgjatë kalimit të tyre nga Ukraina në Kosovë, Maria Vitalievna Kydurko dhe Yulia Oleksandrivna Obodovskaya, tregojnë se si është bërë thirrje që gratë bashkë me fëmijët të largohen nga vendet ku po zhvillohet lufta, në mënyrë që ushtarët dhe populli ukrainas ta kenë më të lehtë luftimit ndaj agresionit rus.
“Fiks në kohën kur ekonomia po rregullohej dhe qeverisja ukrainase po shkonte drejt Evropës, erdhi lufta. Kjo i ka penguar rusëve, që tani më Ukraina dëshiron të shkojë drejt BE-së kështu duke e zgjedhur edhe një president pro-evropian”, fillon rrëfimi i tyre, duke thënë se gjithmonë ukrainasit e kanë ëndërruar rrugën drejt Evropës e jo drejt Rusisë.
Duke kujtuar ngjarjet e para 8 viteve, ku vendeve të Krimesë “i’u vunë kufijtë” nga separatistët rus, ato spjeguan se si qeverisja ukrainase është munduar ta mbajë neutralitetin, pasi që, nëse do të reagonte ushtria ukrainase atë kohë, faji do t’i mbetej Ukrainës për fillimin e luftës dhe jo Rusisë.
“Nuk është lejuar as qarkullimi i civilëve në ato pjesë, sepse çdo veprim i pamatur do të mirej si provokim i luftës nga ana ukrainase”.
Ato kujtuan datën 24 shkurt, si datë të fillimit të luftës pasi që dëgjuan dhe panë shpërthime të armëve, ku presidenti i Rusisë Vladimir Putin i arsyetoi me “operacione speciale të shpëtimit”.
“Sulmi filloi që atëherë sepse u bombardua infrastruktura, autostradat, aeroportet dhe urat, për t’ia pamundësuar popullit ukrainas largimin nga vendi i tyre”, kështu shpjeguan ato, duke shtuar se “kinse gabimisht u shkatërruan edhe vendbanimet e shumë ukrainasve, derisa gënjenin popullin se po luftojnë kundër neonacistave”.
“Pesë ditë përpara fillimit të luftës Amerika ka paralajmëruar se lufta do të fillojë, por më shumë se 50% e popullatës tonë nuk e kemi besuar këtë, pasi që kemi edhe lidhje gjaku me popullin rus dhe nuk besonim se do të ndodhte një gjë e tillë”.
Më tutje, ato thanë se filloi shpërndarja e lajmeve se kinse populli ukrainas po vriten mes vete.
Dy banoret e qytetit të Vinnicya, treguan se burrat dhe bashkëshortët e tyre janë duke luftuar në vendet ku po zhvillohet agresioni më i madh, derisa theksuan se edhe shumë gra të tjera kanë mbetur të ngujuara atje, duke i përmendur edhe nënat dhe motrat e tyre.
Në momentin që kanë filluar të bombardohen bazat ushtarake ukrainase, dy banoret e kanë marrë vendimin që të largohen nga aty, njëra me dy fëmijët e saj në moshë 8 dhe 10 vjeçare, dhe tjetra me fëmijën e saj 9 vjeçar.
“Kur e panë rezistencën e paparë të popullit tonë, ata filluan të egërsohen ndaj neve duke i vrarë shumë familje, duke plaçkitur markete por edhe pikat e furnizimit me naftë, pasi që ata kanë menduar se do ta pushtojnë Ukrainën për 2 ditë”.
Sipas fjalës së tyre, ushtria ruse filloi me bombardimin e kanaleve që u caktuan për të lejuar qarkullimin e civilëve.
“Në fillim na thoshin se ndihmat e ushqimit kishin ardhur nga rusët, por filluan me bombardime nëpër kanale për t’i marrë për vete ushqimet e shumë ndihma të tjera që i erdhën popullit, të cilët po strehoheshin nëpër bodrume”.
Një fakt që i ka lënë pa fjalë edhe vetë ato është se populli rus nuk po e beson se një gjë e tillë po ndodh me të vërtetë në Ukrainë, madje ato theksojnë se këtë nuk po e besojnë as familjarët e tyre.
“Kanë kaluar 20 ditë luftë, si nuk po e besoni këtë”, pyet njëra nga refugjatet derisa me mllef thotë se më nuk do t’i konsiderojë vëllezër popullin rus.
Dhe ky mosbesim ka bërë që edhe civilët edhe ushtarët ukrainas të dërgojnë thirrje ndaj nënave të ushtarëve rus t’i marrin të gjallë apo të vdekur bijtë e tyre luftëtarë, dhe t’i shohin me sytë e vet dëmtimet dhe plagët që kanë shkaktuar në popull ushtarët rus.
“Shpresoj të kryhet sa më shpejt lufta, sepse po sulmohet më shumë populli sesa ushtria jonë”, janë fjalët e njërës nga refugjatet, e cila me lot në sy kujton pamjet që ajo ka parë gjatë kalimit nëpër qytet ukrainase. Ajo shpjegon se si disa qytete janë “rrafshuar” dhe nuk ka mbetur asgjë prej tyre.
Ato dëshiruan t’i dërgojnë mesazh popullit e ushtrisë së Ukrainës që të mos dorëzohen.
“Slava Ukraini”, thërrasin me mburrje.
Sipas tyre, arsyeja pse pranuan intervistimin nga infosot.com është sepse duan t’i falënderohen popullit e në veçanti Policisë së Kosovës, për mikpritjen dhe ndihmat që ua kanë afruar që nga momenti kur ato arritën në kufi.
“Nuk kemi besuar se në Kosovë do të na priste një mikpritje e tillë nga populli e shteti, që nuk është njohur si i pavarur nga shteti ynë”.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të sensibilizohen dhe të ndihmojnë dy familjet e ardhura në Prishtinë, mund të na kontaktoni në Redaksinë tonë, por edhe mund të ndihmoni përmes xhirollogarisë së njërës nga anëtaret e kësaj familje prishtinase që hapen dyert për refugjatët ukrainas – 5354250001030990 – TEB Bank.