Gati gjashtë vite më parë, Tareq Alaows ishte duke lundruar nëpër Detin Egje në një barkë gome para se të ecte në këmbë gjatë pjesës më të madhe të rrugës nga Athina në Vjenë. Tash, imigranti që iku nga rekrutimi ushtarak në Siri po përpiqet të fitojë një ulëse në Kuvendin e Gjermanisë.
Ai po planifikon të garojë si kandidat i Të Gjelbërve në një rajon në perëndim të Gjermanisë në zgjedhjet e përgjithshme të 26 shtatorit, nëse kërkesa e tij për shtetësi gjermane miratohet para kësaj date. Të Gjelbërit thonë se Alaoës do të ishte refugjati i parë i zgjedhur në Kuvendin Federal.
Kur siriani arriti në Gjermani më 2015, ai u ndie i sigurt për herë të parë në vitet e fundit. Por ai ishte i shokuar me atë që e primi: një shtrat në një sallë fitnesi bashkë me 60 refugjatë të tjerë. Aty, ai nuk kishte të drejtë të punonte dhe nuk iu mbajtën orë të gjermanishtes, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Kuptova se perspektiva ime, si dikush që është prekur nga tërë kjo, është duke munguar në politikë. Askush nuk më përfaqëson mua”, tha i diplomuari për drejtësi në një gjermanishte pothuajse të përsosur. Ai e mësoi vetë gjermanishten duke i përkthyer ligjet gjermane me shërbimin “Google Translate” në telefon.
“Ka pasur refugjatë në Gjermani edhe para vitit 2015, kanë qenë këtu më gjatë dhe është koha e duhur që në një demokraci funksionale, këta njerëz, që janë pjesë e shoqërisë, të kenë një zë në politikë”, tha siriani.
Sipas sondazheve, grupi politik në emër të të cilit po planifikon të garojë në zgjedhje i riu sirian pritet të dalë i dyti në garë, pas Partisë Kristian-Demokrate të kancerales Angela Merkel.