Një refugjate në Gjermani ia ka vënë emrin vajzës së vet të porsalindur Angela Merkel Muhammed, në nder të kancelares gjermane Angela Merkel.
Refugjatja siriane Asia Faray dhe burri i saj Khalid Muhammed mbërritën në Gjermani me katër fëmijët e tyre në kulim e krizës së refugjatëve në vitin 2015 falë politikës së Merkelit për t’ua hapur dyert refugjatëve, transmeton Express.
Angela është fëmija i pestë i çiftit.
Ajo u lind më 16 gusht me peshë prej 3.920 gramë dhe gjatësi 53 centimetra, ka thënë një zëdhënëse e spitalit St Franziskus në Munster, në perëndim të Gjermanisë.
“Emri i parë i vajzës është Angela, ndërsa i dyti Merkel. Me këtë vendim, prindërit kanë dashur ta shprehin falënderimin e tyre për kancelaren”, ka thënë zëdhënësja e spitalit.