Gjykata Supreme ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë dhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, të parashtruar nga paditësja, Prokurore e Shtetit, M.K. – G., për shfuqizimin e dispozitave për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pas shqyrtimit të seancës gjyqësore dhe vlerësimit të provave, Gjykata Supreme konstatoi se dispozitat që lidhen me përfaqësimin gjinor dhe shumetnik në përbërjen e KPK-së nuk vendosin kushte të reja për kandidim. Sipas Gjykatës, këto dispozita “synojnë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe kushtetuese për sigurimin e përfaqësimit të barabartë, një standard që duhet të arrihet në përbërjen përfundimtare të institucionit, duke pasqyruar pluralitetin shoqëror dhe diversitetin gjinor.”
Gjykata thekson se vlerësimi paraprak i përfaqësimit dhe zhvillimi i konkursit për gjininë ose komunitetin e nën-përfaqësuar është “një masë pozitive dhe e përkohshme, në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë dhe mos diskriminimit, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”
Për këtë, Gjykata Supreme i referohet Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe standardeve të GJEDNJ-së.
Në lidhje me nenin 10 të rregullores, Gjykata vlerëson se zgjedhja e anëtarëve prokurorë nga Konferenca e Përgjithshme e Prokurorëve dhe votimi në nivel të prokurorive janë në përputhje me ligjin, ndërsa modalitetet e votimit mund të strukturohen për të siguruar përfaqësimin.
Sa i përket pretendimeve për diskriminim, Gjykata Supreme thekson se paditësja i përket të njëjtës gjini dhe etni si kundër-kandidatja dhe ka pasur mundësinë të kandidojë, por nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave.
“Jo çdo ndryshim në trajtim përbën diskriminim,” thekson Gjykata, duke refuzuar edhe kërkesën për masën e posaçme të sigurimit.