Këshilli i shkollës “Drita” i fshatit Rubovc të Lipjanit ka refuzuar peticionin e banorëve të 3 fshatrave për riemërtimin e shkollës me emrin e heroit “Januz Emin Bajçinca”, një ndër luftëtarët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, por të enjten, është bërë temë diskutimi në mbledhjen e rregullt të KK-së në Lipjan.
Sipas këshilltarëve të KK-së nga radhët e PDK-së, me 146 nënshkrime të banorëve të fshatrave: Koiskë, Rubovc i Vogël dhe Rubovc i Madh, kërkojnë që shkollës t’i ndërrohet emri, ndërkohë që këshilli i shkollës nuk ka kompetencë ta refuzojë atë që në fillim të procesit pa u shqyrtuar edhe në KK, shkruan sot Koha Ditore.
E sipas ligjeve të MASHT-it, këshilli i shkollës duhet t’i adresojë 3 rekomandime në Komunë, pastaj Komuna në Ministrinë e Arsimit, e cila është kompetente për vendosjen apo rivendosjen e emrave të shkollave.