Refuzohet propozimi për ndërmjetësim, i akuzuari deklarohet i pafajshëm për sulm ndaj të dëmtuarit në Pejë

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit D.A., i cili ngarkohet për sulm ndaj të dëmtuarit V.D., pasi nuk kishte pëlqim të të dyja palëve që lënda të dërgohet në ndërmjetësim, propozimi për referim të lëndës në ndërmjetësim u refuzua, kurse i akuzuari u deklarua i pafajshëm përballë akuzës ndaj tij.

Fillimisht, pas lexmit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ermal Demhasaj, mbrojtësja e të akuzuarit A., avokatja Ylberza Gllogjani, i propozoi Gjykatës që lënda të referohet procedurës së ndërmjetësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Meqenëse vepra me të cilën ngarkohet i mbrojturi im i plotëson kushtet që të përmbyllet edhe me procedurën e ndërmjetësimit e duke pasur parasysh edhe ekonomizimin e procedurës, faktin se i mbrojturi im është hera e parë që bie ndesh me ligjin, është i moshës më të vjetër, propozojmë që çështja të referohet në procedurën e ndërmjetësimit, duke i kërkuar falje publikisht këtu të dëmtuarit V.,”, tha avokatja Gllogjani.

Ndërsa, i dëmtuari V.D., deklaroi se nga i akuzuari deri më tani kishte pranuar disa persona me autoritet në qytet, të cilët janë munduar të ndërmjetësojnë që ai t’ia falë palës për veprimet ndaj tij.

“Të gjithë ata që kanë ardhë e kanë pasur vetëm një fjalë kryesore, pajtohuni sepse don me hup vendin e punës, ndërsa në asnjë fjalë nuk thotë se personi ndjen keqardhje për veprimin publik që e ka bë. Unë dyshoj se sulmi është i motivuar dhe nuk është aksidentale”, tha i dëmtuari D,.

Ai më pas tha se nuk e pranon të vazhdojë çështja në ndërmjetësim, ku sipas tij ka ende pasoja, dhe që ia lë në vlerësim të Gjykatës lëndën.

Pas propozimit të mbrojtëses dhe mendimit të palëve, gjyqtarja e çështjes Blerta Kelmendi, e refuzoi propozimin që kjo procedurë të referohet në ndërmjetësim, për shkak të mosdhënies së pëlqimit nga të gjitha palët e konkretisht nga pala e dëmtuar.

Më pas, i akuzuari D.A., u deklarua i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

Gjyqtarja Kelmendi, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësen e tij, që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtën të parashtrojnë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Mirëpo, e njëjta hoqi dorë nga kjo e drejtë duke kërkuar caktimin e shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuarit D.A., ngarkohet se më 29 shkurt 2024, rreth orës 16:00, në rrugën “Bill Clinton”, në Pejë, me dashje kishte përdorur forcën ndaj të dëmtuarit V.D,.

Sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari dhe i pandehuri ishin duke drejtuar makinat e tyre, kishin një mosmarrëveshje në komunikacion, i pandehuri del nga kamioneta e tij dhe shkon në drejtim të të dëmtuarit duke u munduar t’ia hapë derën e veturës, e më pas i dëmtuari në momentin që hap dritaren me qëllim që të bisedojë me të, ky i fundit fillon ta sulmojë duke tentuar ta godasë me grushte, ku më pas e kapë për xhakete, e duke iu drejtuar me fjalët “ta q*** atë nënë”, pas kësaj i pandehuri pas disa minutash takohet sërish me të dëmtuarin në rrugë dhe tenton prapë që ta sulmojë, duke ia goditur xhamin e veturës dhe duke iu drejtuar me fjalët “çele derën se të ngjo une shumë kush je dhe kom me ta q*** gruan”.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal. 

Të ngjashme