Mbrëmë në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u mbajt koncerti tradicional i fundvitit që përmbyllë aktivitetin kulturor për vitin 2018, me ç’rast në këtë ngjarje u shpall edhe më i merituari në këtë fushë, Çmimi “Finesa”, Artisti i Vitit 2018.
Me një program të pasur kulturor-artistik ku performuan anëtarë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, grupi i folklorit si dhe u interpretuan këngë popullore nga këngëtarë të mirënjohur ferizajas e më gjerë, të ekzekutuara këto nga orkestra e AKV “Kastriotët”, arriti edhe momenti kulminant i kësaj ngjarje, ndarja e Çmimit “Finesa”, Artisti i Vitit 2018.
Pas një pune disa javore, komisioni nga 7 të nominuarit për këtë shpërblim, zgjodhi regjisorin e mirënjohur ferizajas, Besim Ugzmajli – Artist i Vitit 2018, duke i ndarë Çmimin “Finesa” për sukseset e tij ndërkombëtare dhe çmimet e shumta të pranuara në gara ndërkombëtare me filmin e tij “Forgive me” si dhe kontributin e tij të përgjithshëm në promovimin e kinematografisë vendore në arenën ndërkombëtare. Ndarjen e këtij Çmimi e bëri drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani.