Bafta ka suspenduar aktorin dhe regjisorin Noel Clarke pas akuzave për sjellje të keqe dhe ngacmim seksual.
Akademia e çmimeve të kinematografisë, ka thënë përmes një komunikate për media, se ka suspenduar edhe çmimin që i është dhënë për kontributin e tij të shquar në kinema, të cilin ai e ka pranuar në fillim të këtij muaji në Royal Albert Hall.
Akuzat ndaj Clarke, i njohur për paraqitjen e tij në “Doctor Who” dhe për krijimin e “The Hood Trilogy”, janë publikuar për herë të parë pas një hulumtimi të kryer nga gazeta “The Guardian” .
Mirëpo, Clarke i ka mohuar akuzat që kanë ardhur në drejtim të tij, nga 20 gra.
“Gjatë 20 viteve karrierë, kam sjellë diversitet në punën time dhe kurrë askush nuk është ankuar kundër meje. Nëse dikush që ka punuar me mua është ndierë ndonjëherë keq dhe i parespektuar, kërkoj falje. Por mohoj çdo akuzë për ngacmime seksuale dhe do të mbrojë vetën kundër akuzave false”, ka thënë Clarke.
Paraqitjen e parë televizive, Clarke e pati bërë para 20 vitesh ndërkohë që famën e kishte arritur me rolin e tij si Mickey Smith në filmin e famshëm “Doctor Who”.
Për herë të parë, Clarke ishte pranuar nga Bafta në vitin 2009, kur kishte fituar çmimin “Rising Star”.
Në fillim të muajit prill, ai ka pranuar çmimin për “Kontributin e çmuar”.